Presidenti i Republikës, Bajram Begaj pritet të zhvillojë një vizitë në jug të vendit, më konkretisht në Delvinë, Finiq dhe Sarandë. Vizita pritet të mbahet në datat 21-22 dhjetor.
Kreu i Shtetit do të takohet me përfaqësuesit e pushtetit vendor, komunitetin e biznesit dhe turizmit.
"Presidenti Begaj do të takohet në Delvinë me Kryetaren e Bashkisë, Znj. Majlinda Qilimi për t’u njohur nga afër me sfidat me të cilat përballet komuniteti në këtë zonë si dhe do të takohet me përfaqësues të sipërmarrjeve të vogla e do të vizitojë Muzeun e Historisë.
Presidenti Begaj do të vizitojë edhe Finiqin, ku do të takohet me Kryetarin e Bashkisë, Z. Kristo Kiço, me përfaqësues e intelektualë të minoritetit grek, si dhe do të vizitojë edhe Parkun Arkeologjik të Finiqit.
Në Sarandë, Presidenti Begaj do të takohet me kryetarin e bashkisë, Z. Adrian Gurma si dhe do të vizitojë repartin pediatrik të spitalit “Petro Nako” ku do të takohet e do të bisedojë me stafin e mjekëve.
Presidenti dhe Zonja e Parë do të vizitojnë edhe shkollën e mesme “Hasan Tahsini”. Një vizitë do të zhvillohet edhe në Parkun Kombëtar të Butrintit, për të parë bukuritë natyrore të këtij parku – pasuri e mbrojtur e UNESCO-s – që tërheq turistë nga e gjithë bota." thuhet në njoftimin e Presidencës.
Por, në të njëjtën ditë që presidenti Begaj do të nisë turin e tij në jug të vendit, edhe kryeministri i Greqisë Kyriakos Mitsotakis do të jetë në jug të Shqipërisë. Vizita e Mitsotakis do të përqendrohet në minoritetet greke në Himarë, Finiq dhe Dropull. Në disa prej takimeve të parashikuara në këto zona do të jetë i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama.