Firmoset marrëveshja për blerjen e dronëve "Bayraktar", Rama: Falenderoj Erdogan, mbi 30 persona do të trajnohen ...

20 December 2022, 16:49Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Firmoset marrëveshja për blerjen e dronëve "Bayraktar",
Edi Rama

Qeveria shqiptare ka firmosur marrëveshjen për blerjen e tre dronëve "Bayraktar" nga Turqia. Lajmin e ka bërë me dije kryeministri Edi Rama në një dalje nga Kryeministria së bashku me ministrin e Mbrojtjes Niko Peleshi.

Sipas Ramës, këto dronë do të jenë në funksion të sigurisë kombëtare, të luftës kundër krimit e kultivimit të paligjshëm të hashashit, të emergjencave civile dhe mbrojtjes së territorit.

"Firmosja e marrëveshjes për blerjen e flotës së dronëve Bayraktar, teknologjia më e lartë e fluturimeve për misione ushtarake, policore dhe civile, në funksion të sigurisë kombëtare, të luftës kundër krimit e kultivimit të paligjshëm të hashashit, të emergjencave civile, mbrojtjes së territorit dhe mbledhjes së informacioneve gjeohapësinore" shkruan kryeministri në postimin e tij në rrjetet sociale.

Gjatë fjalës së mbajtur, Rama falenderoi presidentin turk Erdogan dhe tha se marrëdhënia mes Shqipërisë dhe Turqisë po bëhet gjithnjë e më e mirë.

Kreu i qeverisë shtoi më tej se këta dronë janë të një niveli të lartë teknologjie dhe se kompania "Bayraktar" po përgatit mbi 30 persona që do të marrin kontrollin e këtyre dronëve.

"Jam i lumtur sot dhe ndërkohë dua t’ia nis me një falenderim për Erdoganin i cili ka qenë shumë i rëndësishëm në këtë proces. Të gjithë ne e dimë se kur vjen fala për mjete pa pilot, dronet nuk ka të bëjë vetëm me të pasurit e parave por ka të bëjë dhe me faktin që të jesh i aftë që të kalosh edhe të hysh, radhë, sepse radha është shumë e gjatë dhe nga ana tjetër është fati të jesh në anë e duhur. Krenar që jemi të rreshtuar në aleancën më të madhe ushtarake, NATO-s dhe në të njëjtën kohë të jemi të rreshtuar në një partneritet strategjik mes nesh dhe Turqisë. Marrëdhënie e natyrshme e ndërtuar ndër vite, sot është në pikën më të mirë.

Kjo është një ditë shumë e mirë për forcat tona të armatosura dhe për miqësinë me Turqinë. Kjo është një marrëdhënie që po bëhet gjithmonë më e mirë. Me këtë marrëveshje nuk po sjellim këtu në Shqipëri teknologjinë më të mirë të lartë në këtë fushë, por kështu do sjellim në Shqipëri një fushë të re njohurish dhe është shumë mirë që marrëveshja nuk është vetëm për të blerë dronët por ka të bëjë edhe me ndërtimin e një ure mes Forcave të Armatosura tona dhe kompanisë "Bayraktar" që do kujdeset për trajnimin e njerëzve, më shumë se 30 persona që do përzgjidhen me shumë kujdes me ndihëm e kompanisë "Bayraktar" që do vihen në një trajnim dhe do përgatiten për të marrë funksionin e qendrës së kontrollit që do jetë objekt i teknologjisë më të lartë në bazën ajrore të Kuçovës”, tha Rama.


Video