Gazment Bardhi ka reaguar në lidhje me Kuvendin Kombëtar të thirrur nga Sali Berisha pak pas takimit që pati së bashku me Enkelejd Alibeajn dhe Jorida Tabakun me zv.ndihmës Sekretaren e Shtetit për Europën dhe Azinë, Karen Donfried.
Bardhi e quan kuvend i turpit që përçan Partinë Demokratike. Sipas Bardhit, interesi i vetëm i Sali Berishës është që të përdorë partinë për interes personal dhe jo për interes të demokratëve.
“Interesi i demokratëve është bashkimi dhe lufta e të gjithëve bashkë me Edi Ramën. Interesi i Sali Berishës është përçarja, zvogëlimi, lufta dhe armiqësia mes demokratëve dhe ndërtimi i një partie personale, që i shërben vetëm interesit të tij personal”, thotë ai.
Bardhit thotë se “qartësisht ajo që po bën Sali Berisha nuk ka lidhje me Partinë Demokratike. Këshilli Kombëtar i PD është në detyrë, funksional, i regjistruar në gjykatë dhe me mandat që i përfundon më 17 Korrik 2025”.
Sipas tij, Berisha po ngre struktura paralele.
“Ndërtimi i strukturave paralele nga baza në qendër, nuk është asgjë tjetër, vetëm një akt turpi për të dëmtuar PD, për të mbajtur gjallë ndasitë mes demokratëve dhe për të shfokusuar PD nga beteja me regjimin e Edi Ramës”, mbyll Bardhi reagimin e tij.