Ministri i Brendshëm Taulant Balla i ka ardhur në ndihmë babait të 23-vjeçarit Klajdi Bitri, i vrarë gjatë një konflikti në Itali.
Babai i 23-vjeçarit apeloi sot përmes medieve për ndihmë që të mund të sjellë trupin e pajetë të djalit të tij, ndërsa ministri Balla ka ndërhyrë duke i mundësuar pasaportën për të udhëtuar drejt Italisë si dhe është gjetur një agjenci funerale që do të kryejë transportin e trupit të pajetë.
Klajdi Bitri, një djalë shembullor dhe i integruar më së miri në Ankona të Italisë, u vra nga një algjerian teksa ndërhyri për të shpëtuar shokun e tij italian gjatë një konflikti në trafik.
Algjeriani e qëlloi me shtizën e pushkës së detit, ndërsa 23-vjeçari shqiptar ndërroi jetë në krahët e vëllait të tij 18-vjeçar.
Krimi i rëndë ka tronditur mbarë opinionin në Itali, teksa kanë kërkuar dënim maksimal për autorin e arrestuar tashmë.
Bashkia e qytetit të Lushnjes ka marrë përsipër shpenzimet e varrimit të 23-vjeçarit.