Kryeministri Edi Rama ditën e sotme inspektoi një nga centralet e sterilizimit në spitalin “Shefqet Ndroqi”. I shoqëruar nga bluzat e bardha, kreu i qeverisë tha se koncesioni i “Sterilizimit” ka garantuar një standart të ri sigurie për ndërhyrjet operatore. Veç kësaj thekson ai, shtetit i janë kursyer miliona euro.
“Në një nga 17 centralet e reja të krijuara falë PPP-së së sterilizimit, që kanë garantuar një standard krejt të ri sigurie për ndërhyrjet operatore, duke e kthyer njëherë e mirë faqen e turpit e të pasigurisë në sallat e operacioneve, duke ulur në minimum fenomenin e vjetër të infeksioneve post-operatore si pasojë e mungesës së sterilizimit të vërtetë, si edhe duke i kursyer shtetit dhjetëra miliona euro nga ulja e ditëve të qëndrimit në spitale pas operacioneve.”
Lidhur me hetimet e SPAK për këtë koncesion, ai u shpreh se të gjithë personat që kanë abuzuar do të përballen me drejtësinë.
“Hetimi i SPAK-ut për abuzime të mundshme në procesin e ndërtimit të këtij Partneriteti Publik Privat, nuk e cenon aspak suksesin e prekshëm të kësaj nisme madhore të qeverisë shqiptare për Rilindjen e Shëndetësisë, por siguron që askush të mos mbetet i pandëshkuar nëse ia bën me hile shtetit dhe popullit shqiptar, duke nxjerrë përfitime vetjake të paligjshme gjatë kryerjes së detyrës në punën për qëllimin e përbashkët. Unë desha të vija më shumë për të shfrytëzuar këtë moment pasi është bërë një konfuzion i madh për shkak të hetimit të procedurës së kompanisë përkatëse midis përfitimit të madh që ka pas sistemi dhe çfarëdo qoftë individë të caktuar mund të kenë bërë pas shpine po themi, që është çështja e tyre me drejtësinë.”
Rama shtoi më tej se: Ulja e ditëve të pas operacionit të qëndrimit në spital ka sjellë një përfitueshmëri financiare që është më e lartë sesa gjithë shpenzimi total që është bërë për këtë proces dhe gjithë kosotja e përgjithshme që është parashikuar për procesin, sot që flasim.
Edhe para 4 ditësh, kreu i ekzekutivit u shpreh se Prokuroria e Posaçme ka gjithë mbështetjen e tij për hetimet lidhur me këtë koncesion.
Sterilizimi, ndër punët më të bukura që ne kemi bërë. Nëse në procesin e asaj kontrate, individët kanë hyrë në gjynah, do paguajnë! Kur ne zgjedhim, ne nuk kalojmë njerëzit në sallën e torturave për të marrë vesh se çfarë mund të bëjnë ata në të ardhmen”, deklaroi Rama.