
Shqipëria nuk mund të përballojë blerjen dhe mirëmbajtjen e asnjë avioni zjarrfikës, sipas një deklarate të bërë nga ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi në Komisionin e Sigurisë, ku mbrojti projektligjin për Policinë Ushtarake.
“Ne jemi një vend i vogël. Nuk ja vlen që të investojmë për të pasur një avion që kushton 50 mln euro. Nuk jemi në atë fazë që të investojmë 50 mln euro për ta përdorur vetëm një muaj, shto këtu edhe kostot e mirëmbajtjes që janë shumë të larta”, deklaroi ministri Niko Peleshi.
Sipas Peleshit, Shqipëria ka bashkëpunim të mirë me vendet e tjera që i kanë këto kapacitete dhe na ndihmojnë në raste zjarresh.
Gjatë debateve në këtë komision, deputetët e opozitës ngritën pyetjen se pse vendi të mos ketë një avion zjarrfikës, përsa kohë ka Kryeministrin që lëviz me ‘charter’. Por, Peleshi reagoi duke thënë se ‘charteri kishte të bënte me dinjitetin e shtetit’.
Peleshi ‘fajësoi’ pushtetin vendor për zjarret.
“Problemi fillon që nga reagimi i pushtetit vendor. Që nga komuniteti dhe kryeplaku i fshatit. Ne jemi hallka e fundit. Ne kemi përgjegjësinë për të koordinuar emergjencat. Ne nuk kemi zjarrfikëset. Zjarrfikëset i kanë bashkitë. Që në momentin kur ka një vatër të vogël, duhet të reagojnë zjarrfikëset”, deklaroi ai.