
Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj i ka dërguar tre grupeve të tjera parlamentare në Kuvend draftin për zgjedhjen e Presidentit të ri.
Në shkresën e tij, Alibeaj shkruan se ky draft nuk ka si qëllim ngurtësimin e një procesi që favorizon opozitën, por synon gjithëpërfshirjen. Ai lë të hapur mundësinë për diskutime, përmirësime apo propozime shtesë nga të gjitha grupet parlamentare.
Vlen të theksohet fakti se lidhur mbi atë draft ka patur shumë kundërshti nga një pjesë e mirë e deputetëve të PD-së, të cilët nuk kanë të pranishëm në mbledhjen e miratimit të tij. Gjithashtu, në atë draft nuk janë futur as idetë e deputetëve të Komisionit të Rithemelimit.
“Në vlerësimin tonë, Presidenti i Republikës, i cili sipas nenit 86 të Kushtetutës përfaqëson unitetin e popullit, duhet të zgjidhet në një proces gjithëpërfshirës, konsensual midis shumicës dhe pakicës parlamentare, transparent, luajal ndaj Kushtetutës dhe interesave të qytetarëve. Paraqitja e këtij qëndrimi është një dëshmi e vullnetit tonë të mirë për një proces, i cili t'u japë shqiptarëve një figurë presidenciale dinjitoze, në lartësinë e detyrës kushtetuese dhe me legjitimitet të plotë.
Megjithatë, dokumenti, bashkëlidhur kësaj shkrese, nuk ka si qëllim ngurtësimin e një procesi që favorizon opozitën, por synon gjithëpërfshirjen. Për këtë arsye, ky propozim është i hapur për diskutime, përmirësime apo propozime shtesë nga të gjitha grupet parlamentare, me synimin e vetëm të ndërtimit të një procesi transparent dhe që prodhon produkt të gjithëpranuar. Pasi të njiheni me këtë dokument, mbetemi në pritje të qëndrimit tuaj publik”, i shkruan Alibeaj Taulant Ballës, Mesila Dodës dhe Fatmir Mediut.
Kriteret e propozuara nga grupi parlamentar i PD-së:
1. Kandidati për President të Republikës, gjatë 5 viteve të fundit, nuk duhet të jetë angazhuar në politikë aktive partiake, në kuptimin që të mos ketë mbajtur funksione politike në organet shtetërore dhe as pozicione në organet drejtuese të ndonjë partie politike.
2. Kandidati për President të Republikës, përgjatë përvojës profesionale të tij, duhet të ketë dëshmuar publikisht aftësi të spikatura të integritetit, në kuptimin e kontributeve politike, ku të ketë dëshmuar aftësi për të vendosur në situata të vështira dhe aftësi për të përballur presionin/ndikimin e papërshtatshëm politik. Dëshmitë për angazhimin dhe përkushtimin e tij në kauza të rëndësishme civile përbëjnë avantazh;
3. Kandidati për President të Republikës duhet të bëjë transparencë të plotë dhe të dokumentuar të të gjitha të ardhurave dhe ligjshmërisë së pasurisë, si dhe të pagimit të të gjitha detyrimeve tatimore, bazuar në dokumentacionin zyrtar të institucioneve shtetërore përgjegjëse.
4. Kandidati për President i Republikës nuk duhet të ketë qenë dhe të mos jetë bashkëpunëtor, informator ose agjent i ndonjë shërbimi sekret, si dhe në periudhën 29.11.1944 - 02.07.1991 të mos ketë qenë anëtar ose kandidat i Byrosë Politike, anëtar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, kryetar i Gjykatës së Lartë, Prokuror i Përgjithshëm, kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme, anëtar i Këshillit të Ministrave, kryetar i Degëve të Punëve të Brendshme, punonjës i organeve të ish-Sigurimit të Shtetit, bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit apo i favorizuar, anëtar i Komisionit Qendror të DëbimInternimeve, hetues, prokuror, gjyqtar në procese politike, denoncues apo dëshmitar i akuzës në proceset politike të posaҁme. Dëshmitë për angazhimin dhe përkushtimin e tij për zhdukjen dhe crrënjosjen e komunizmit përbëjnë avantazh.
5. Kandidati për President i Republikës duhet të plotësojë kushtet e pastërtisë së figurës në drejtim të dekriminalizimit.
6. Kandidati për President i Republikës duhet të ketë një përvojë në punën e tij për të paktën 15 vjet, ku të ketë dëshmuar integritet moral dhe profesional të lartë dhe të provuar, si dhe të ketë dëshmuar paanësi politike në veprimtarinë dhe qëndrimet e tij publike, me qëllim rritjen e besimit të publikut tek figuara që zgjidhet si President. Dëshmitë për përkushtimin e Presidentit ndaj vlerave themelore kushtetuese, ndaj procesit të integrimit euro-atlantik të Shqipërisë dhe vlerave euro-atlantike përbëjnë avantazh.