Agron Shehaj e akuzoi për mbylljen e biznesit, reagon Edi Rama: Ndërtesa është e paligjshme

20 October 2022, 20:13Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Agron Shehaj e akuzoi për mbylljen e biznesit, reagon Edi Rama:
Edi Rama dhe Agron Shehaj

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas akuzës së deputetit demokrat, Agron Shehaj, i cili tha se policia ka mbyllur biznesin e tij.

Rama shprehet në Twitter se ndërtesa të cilën ushtronte aktivitetin biznesi i Shehajt, është bllokuar si e paligjshme nga IKMT dhe në bazë të ligjit sapo ka dalë edhe vendimi i konfiskimit.

Sakaq, Rama ka mohuar akuzat e Shehajt, se me këtë akt ka dashur t’i ushtrojë presion dhe t’i mbyllë gojën.

“Deputeti Agron Shehaj paska marrë zjarr nga sulmi policor i orkestruar politikisht mbi biznesin i tij, që ia paska mbyllur policia e regjimit për t’i mbyllur gojën zotit Agron! Pyes dhe ç’të dëgjoj?! Zoti Deputet që bërtet për shtet e paska futur biznesin në një ndërtesë pa leje!

Ndërtesa është bllokuar si e paligjshme nga IKMT me mbështetjen e Policisë së Shtetit dhe në bazë të ligjit sapo ka dalë edhe vendimi i konfiskimit. Deputeti me biznesin e tij janë gjetur brenda ndërkohë që pronari pretendonte se e kishte hotel!

Duket e pamundur që një deputet të bëjë biznes në një ndërtesë të paligjshme dhe t’i turret Policisë nga mikrofoni i parlamentit, duke marrë pozën e një viktime të regjimit për fjalën e tij lirë, por kur merr vesh që ky tip është një ballist foltoreje atëherë shpjegohet gjithçka!”, shkruan Rama në Twitter.

Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Shehaj deklaroi këtë të enjte, se policia ka mbyllur biznesin e tij dhe ka sekuestruar ambientet në të cilat operonte, pa asnjë leje apo urdhër nga Prokuroria.

 


Video