TIRANË – Kryeministri u kishte thënë disa herë: Shikoni se Tirana dhe Shqipëria kanë ecur shumë, nuk jua merr mendja sa janë shtuar ndërtimet e reja në kryeqytet dhe në rrethe; bile janë shtuar shumë dhe të vjetrat!
Por ministrat nuk ia vinin veshin. Thoshin me njëri-tjetrin: “Hë mo se e ekzagjeron Edi, siç e ka zakon. Do që t’i bëjë reklamë qeverisë së vet, sikur s’e dimë ne që këta me pushtet veç të mburren dinë!”
Por pasi Edi u dha urdhër të prerë të dilnin në terren, dhe sidomos pasi e kuptuan që ‘këta me pushtet’ ishin ata vetë, ministrat u lëshuan rrugëve të atdheut.
Dhe këtu ndodhi hataja. Edhe vetë shefat e dikastereve u mrekulluan sesa shumë kishte ecur Shqipëria. Ndërtime gjithandej, rrugë, makina, pallate si m’i do: Të gjata, të gjera, me ballkone e pa ballkone, me dopio xhama, me garazhe e me antena celularësh nëpër tarraca. Dhe ato që s’kishin antena celularësh, ishin plot me antena televizorësh dhe me disa fuçi llamarine të shtrira horizontalisht.
“Janë depozita uji,” u shpjegoi një xhaxho që i erdhi keq me të padalët, “Heqim keq vetëm për ta ngjitur lart me pompë, se shyqyr zotit, qeveria ka marrë masa që për të zbritur, uji të zbresë vetë”.
***
E para që u pataks nga ndryshimet ishte Dallandishja. Kur e çuan zëvendësministre të mbrojtjes, e kishte humbur kontaktin me terrenin, se i shkonte gjithë dita duke luftuar me Rusinë. Rusët bam, e kjo bam-bam. Por erdhi një urdhër sekret nga NATO, ku i thuhej Edit se lufta nuk mund të mbaronte kaq shpejt, por duhej të zgjaste ca, se ashtu ishte puna, prandaj ta hiqte zv.ministren labe dhe të vinte një tjetër, më të butë. Atehrë Edi e ktheu mbrapsht te puna e vjetër.
“Do shkosh te mbrojtja e territorit,” i tha, “mbrojtje për mbrojtje, njësoj është. Vetëm se të kam rixha, jo me pushkë, as me topa”.
Kështu Dallandishja e ri-pa atdheun dhe mbeti pa mend. “Uaa, kur janë ndërtuar këto pallate? Po kjo lagje? Shiko, paska dhe dyqane,” tha ajo kur mbërriti në Farkë.
E kapi entuziazmi i vjetër dhe menjëherë mori në telefon t’i vinin sa më shpejt dy fadroma se do prishte një shkollë 9-vjeçare. Nuk i durohej sa të ndiente dhe njëherë aromën e pluhurit të prishjeve. Por ç’e do. Iu prish humori kur i thanë se shkolla ishte me leje.
***
E çuditura e madhe megjithatë ishte Bella Ballukja. Vërtet Edi e kishte bërë njëfarë Jakomoneje, dmth mëkëmbëse të qeverisë, por ajo prapë shumicën e kohës e harxhonte duke shitur dhe blerë korrent. Rrinte mbyllur o në zyrë, o në shtëpi. Dhe njëherë që kishte dalë me shapka poshtë pallatit për të blerë bukë, nuk vuri re ndonjë gjë të jashtëzakonshme.
Prandaj Bella u shastis kur doli andej nga liqeni i thatë. Në atë zonë jo vetëm ishte bërë një liqen i njomë, por edhe gjithë trualli rrotull ishte ndërtuar 100%.
“E deklaroj me përgjegjësi të plotë se për mua, sesi është ndërtuar ky pallati këtu është mister,” tha Bella e hutuar, “edhe këta dy të tjerët ngjitur, mbeten të mistershëm. Kjo ndërtesa si anije mbetet enigmë, ndërsa këto tre godinat majtas janë fjalëkryq. Në total, gjithë kjo lagje për mua është pazëll”.
Ajo i telefonoi Edit dhe i tha: “Këtej nga liqeni i thatë nuk ke ku të hedhësh kokrrën e mollës. Qëllimisht mora një mollë me vete, por jam duke e ngrënë se s’kam ku ta hedh!”
***
Të tjerë të çuditur ishin shefat e policisë dhe inspektorët e zonave. Edhe këta kishin mbetur pa frymë, secili në zonat e veta, kur kishin vunë re se sa ishin shtuar ndërtimet gjatë kohës kur ata bënin mbledhje. Paskuqani ishte bërë qytet më vete. Shkoza po ashtu. Madje ishin shpikur ca zona me emra të çuditshëm, Fresku, Astiri… Kombinati dhe Tirana ishin bashkuar, ndërsa ç’është më e keqja, në Kinostudio nuk bëheshin më filma. Por ajo që i vuri kapakun, ishte kur mësuan se Kamza ishte bërë bashki më vete, ndërsa trenat nuk punonin më…
Sa shumë kishte ndryshuar kryeqyteti! Të trullosur siç ishin, shefat e policisë vendosën të informojnë Komitetin e Partisë dhe Degën e Brendshme për këtë situatë. Tiranë, Shtator 2022
Vini Re: Patronazhisti vërtet është rubrikë satirike, por a konkurron dot me këta?