Pse suplementet proteinike nuk janë të domosdoshme nëse doni trup me muskuj

20 June 2022, 09:57Lifestyle SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Pse suplementet proteinike nuk janë të domosdoshme nëse doni trup
Foto ilustruese

Suplementet proteinike dikur kanë qenë ekskluzivisht vetëm për sportistët Bodybuilder, ndërsa sot është bërë trend tek të rinjtë, duke e kthyer në një industri miliarda dollarëshe. Dhe mesa duket nuk ka gjasa që ritmet të ngadalësohen. Përdoren për të shtuar masën muskulore dhe përmirësuar rendimentin, por a janë të domosdoshme?

Si çdo produkt në treg, ekzistojnë suplementet cilësore dhe të tjera që lënë për të dëshiruar. Disa janë natyrale dhe disa bëhen në laboratorë, disa ofrojnë benefite për trupin dhe të tjerat kanë efekte të tmerrshme anësore.

Megjithatë në këtë artikull nuk do flasim për llojet e suplementeve, por për atë nëse, trupi mund të arrijë masën e dëshiruar muskulore pa to? Cili është ndryshimi mes përdorimit të suplementeve dhe përpjekjeve për t’i ndërtuar muskujt në mënyrë natyrale?  

Si fillim, pavarësisht atyre çfarë ju thonë të tjerët, duhet të dini që të fitosh masën muskulore duhet që muskujt t’i nënshtrohen një stresi të caktuar në mënyrë sistematike. Në thelb, duhet të bëni disa mikro-këputje të muskulit.

Kjo do të thotë, ta sforcosh atë derisa të ndjeni atë "djegien" për të cilën të gjithë ankohen.  

Nëse nuk e bëni, do ta keni jashtëzakonisht të vështirë të shtoni masën muskulore.

Kjo është ajo që mësuam nga një bisedë e shkurtër me trajnerin e fitnessit, Marlind Manushi.

Pa u përfshirë në vorbullën e tendencave të fundit, falë edhe kulturës sportive të marrë që në fëmijëri, Marlindi është një nga të paktët të rinj që ka ndërtuar “muskuj bio”.

Si një trajner profesionist ai e di që stërvitja e rregullt dhe ushqyerja e duhur mjaftojnë.

“Mjafton të stërvitesh me zgjuarsi dhe të përmirësosh ushqyerjen”, thotë ai dhe gjithçka është e mundur.

Megjithatë, Marlindi nuk është krejtësisht kundër përdorimit, ai e pranon që edhe vetë për një kohë fare të shkurtër ka konsumuar. Por thekson se duhet të shoqërohen me një ushqyerje të shëndetshme.

“Suplementet nuk mund të zëvendësojnë ushqimin, ato thjesht i japin një dorë organizmit”

Por cila është stërvitja e duhur dhe çfarë diete duhet të ndjekim?

Ndër ushqimet më të mira për furnizimin e mirë me proteina, janë:

Bishtajat (soja është një nga më të përdorurat në formate të ndryshme), arrat, vezët, mishi, peshku, qumështi dhe derivatet e tij.

Sipas Marlindit ka disa teknika që duhen ndjekur për të arritur rezultate të mira.

“Ndiqni një plan, synoni grupe specifike muskujsh në periudha të ndryshme dhe do të filloni të ndërtoni muskujt siç duhet, pa ndjerë efektet e lodhjes. Nëse gaboni në këtë pikë do të ndjeheni vazhdimisht të lodhur, apo më keq akoma do bëni lëndime serioze”

“Pikë së pari, për të ndërtuar masë muskulore, duhet që i gjithë trupi të jetë i fortë. Sa më shumë forcë të keni, aq më shumë muskuj".

Trajneri na mëson se ushtrimet më të mira për këtë qëllim janë squat, bench press dhe deadlifts, duke rritur gradualisht peshën.

“Mos bëni më shumë përsëritje”, thotë, por “shtoni peshën pak nga pak”.

Me rritjen e forcës do të kërkoni vetë të rrisni frekuencën. Shtoni pak e nga pak peshën, përsëritjet dhe shpeshtësinë dhe do të shihni rezultate shumë të mira".

Sa shpesh duhet të stërvitemi dhe kur fillojnë të shihen rezultatet e para?

Minimalisht 3 herë në javë. Me sy të lirë rezultatet mund të shihen disa javë deri në disa muaj pas fillimit të programit.

Eksperimenti

Me ndihmën e Dr. Stuart Grey nga Universiteti i Glasgow, programi i BBC-së “Trust me, I am a doktor”, realizoi një eksperiment për të vlerësuar nëse suplementet janë të domosdoshme. 

Eksperimenti u fokusua tek hirra, e cila ka cilësinë më të lartë të proteinave, përmban të gjitha aminoacidet thelbësore dhe përdoret shpesh nga sportistët.

Në eksperiment morën pjesë 24 vullnetarë nga mosha 20 deri në 67 vjeç dhe u vendosën në një program tetë-javor me ngritje peshash. Gjysma e tyre morën proteinë dhe gjysma tjetër thjesht një placebo.

Pjesëmarrësit u stërvitën tre herë në javë për tetë javë. Peshat që ata ngrinin ishin 65% e maksimumit që çdo person mund të ngrinte, duke u rritur gradualisht deri në 85% gjatë programit të stërvitjes.

Pas çdo seance, ata konsumonin një pije që përmbante 20 gram proteina, ose 20 gram maltodekstrinë (një karbohidrat që vepronte si placebo).

Pas përfundimit të tetë javëve, të gjithë pjesëmarrësit fituan forcë, mesatarisht:

Kapaciteti ngritës u rrit mesatarisht me 33%

Forca e gjurit u rrit me 31%

Masa pa dhjam u rrit me 1%

Muskujt e kofshës u rritën me 4%

Megjithatë, nuk kishte asnjë dallim mes grupit që mori proteinë dhe atyre që morën placebo.

Çfarë do të thotë kjo? Marrja e suplementeve proteinike nuk kishte asnjë efekt në fuqinë dhe rritjen e muskujve.

Në një periudhë prej rreth katër orësh, trupi ynë mund të përdorë vetëm 20 - 30 gram proteina, në varësi të masës së secilit individ. Nga këto, vetëm dy gramë mund të përdoren për të riparuar muskujt. Çdo proteinë shtesë digjet për energji, ruhet si yndyrë, ose do të dalë jashtë me urinën.

Pra përfundimi?

Nëse jeni i shëndetshëm dhe ndiqni një dietë të ekuilibruar, mos shpenzoni para me proteina për të rritur muskujt./VOXNews



Video