
Një dhimbje e fortë në jetën e Fiori Dardhës është humbja e nënës së saj. E emocionuar, Fiori flet në “Jo Vetëm Modë” në Tv Klan për njeriun që i mungon çdo ditë, kujtimet që i ka lënë pas dhe bisedat me të në vendin ku prehet.
Fiori Dardha: Nuk do mësohem kurrë me mungesën e saj, se thonë ndonjëherë që mësohesh edhe me mungesën, nuk mësohesh, është një dhimbje që çdo ditë vetëm rritet. Ajo që më bën të shkoj përpara, që të them çdo ditë jeta është shumë e bukur është pikërisht mami im. Kujtimi që më ka lënë, këshillat që më ka lënë dhe kur ka momente delikate, të vështira ose që për mua kanë një domethënie ndryshe në jetën time, e di cili është vendi parë ku unë shkoj? Vendi kur prehet mami im.
Ndonëse nuk takohet në ëndrra me të shtrenjtën e saj, Fiori rrëfen se nuk është e vetmja që e ka përjetuar kaq fort ngjarjen e trishtë. Djali i saj 10-vjeçar, Abeli, ruan ende me fanatizëm sendet e gjyshes së tij.
Fiori Dardha: Për Abelin ishte një humbje aq e madhe dhe e fortë, sa Abeli thuajse nuk e përmend gjyshen e tij. Ka mënyrat e tij për ta kujtuar, ne kemi ende në shtëpinë disa objekte që ndodhen aty ku i ka lënë mami im, ende nuk i kemi hequr veshjet e saj dhe kur ne bëjmë ndonjë ndryshim, qoftë për të pastruar, Abeli refuzon.