
Këngëtarja Fjolla Morina ka reaguar mbi lajmet për arrestimin e saj këtë të martë në Prishtinë.
Ajo ka publikuar në InstaStory një foto dhe tregon se ndodhet në dyqanin e saj. Mbi foton ajo ka vendosur mbishkrimin "Te dyqani jam", duke e shoqëruar me një emoji.

Njësoj siç deklaroi dhe avokati i saj, Fanol Krasniqi, duket se kemi të bëjmë vetëm me një shoqërim në komisariat të këngëtares dhe jo arrestim, për shkak se një zyrë juridike në Kosovës nuk e ka shfuqizuar urdhëresën e gjykatës, e cila ka refuzuar ekstradimin.
Fjolla Morina akuzohet nga drejtësia shqiptare për trafikim të armëve dhe municioneve dhe ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli. Ajo u arrestua në shtator të vitit 2020 në pikën kufitare të Morinës, pasi iu gjet në çantën një armë zjarri pistoletë tip “Zoraki” me 23 fishekë.
Gjatë kohës që ishte nën masën e sigurisë "arrest shtëpie" në Kukës, Fjolla Morina arriti të arratisej drejt Kosovës. Gjykata e Kukësit e dënoi me 6 vite burgim për “trafik të armëve dhe municionit”.