Ministria e Mjedisit ka shfuqizuar lejen mjedisore të kompanisë KURUM International për aktivitetin e saj metalurgjik në Bradashesh të Elbasanit.
Vendimi vjen në një kohë kur kompania është përfshirë edhe në hetimet e Prokurorisë së Durrësit për skandalin e 102 kontejnerëve me mbetje të rrezikshme, të cilët u nisën drejt Tajlandës dhe u kthyen në Shqipëri në tetor të vitit 2024.
Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, ka firmosur më 3 nëntor 2026 urdhrin nr. 540, përmes të cilit shfuqizohet leja mjedisore e tipit A, me numër PN-3843-09-2016, e shoqërisë KURUM International, për aktivitetin e saj në Kombinatin Metalurgjik.
Sipas dokumentit që disponon EKOFIN.al, vendimi përfshin një sërë aktivitetesh industriale të kompanisë, duke nisur nga prodhimi i gizës ose çelikut, përfshirë shkrirjen primare dhe sekondare, përpunimin e metaleve ferroze, funksionimin e fonderive, përdorimin e gazit natyror aromatik ose GNL-së, prodhimin e gëlqeres në furra rrotulluese, si dhe përpunimin dhe saldimin e metaleve.
Shfuqizimi i lejes mjedisore përbën një zhvillim të rëndësishëm për aktivitetin e kompanisë në Elbasan, pasi leja e tipit A është një nga autorizimet kryesore për ushtrimin e veprimtarive industriale me ndikim të konsiderueshëm në mjedis.
Vendimi pas procedurave të inspektimit dhe ankimit
Urdhri i ministrit mbështetet në një proces administrativ të zhvilluar gjatë vitit 2026. Sipas dokumentit, Drejtoria e Inspektim Kontrollit pranë Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, me vendimin përfundimtar të inspektimit nr. 9469 prot., datë 25 qershor 2026, kishte propozuar shfuqizimin e lejes mjedisore të KURUM International.
Më pas, me vendimin nr. 3028/7 prot., datë 15 shtator 2026, Komisioni i Shqyrtimit të Ankimit pranë Inspektoratit të Përgjithshëm vendosi pranimin e ankimit të kompanisë dhe lënien në fuqi të vendimit përfundimtar të inspektimit. Në vijim, Komisioni pranë Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, me vendimin nr. 12101/1 prot., datë 21 tetor 2026, propozoi shfuqizimin e lejes.
Ky propozim është formalizuar përmes urdhrit të ministrit të Mjedisit, i cili përcakton se shfuqizimi hyn në fuqi menjëherë.
Agjencia Kombëtare e Mjedisit është ngarkuar të njoftojë Qendrën Kombëtare të Biznesit dhe shoqërinë KURUM International për vendimin.
Dokumenti nuk jep një shpjegim të detajuar të shkeljeve konkrete të konstatuara gjatë inspektimit, por referon vendimet administrative që kanë çuar në propozimin për shfuqizimin e lejes.
Skandali i 102 kontejnerëve me mbetje toksike
Vendimi i Ministrisë së Mjedisit merr një rëndësi të veçantë edhe për shkak të hetimit penal që ka përfshirë KURUM International lidhur me eksportin e mbetjeve industriale të rrezikshme.
Çështja u bë publike në vitin 2024, kur një ngarkesë prej 102 kontejnerësh me mbetje industriale, e nisur nga Porti i Durrësit drejt Tajlandës, u kthye në Shqipëri në muajin tetor, pas shqetësimeve ndërkombëtare për natyrën e materialeve të transportuara.
Sipas njoftimit të Prokurorisë së Durrësit, të datës 4 shkurt 2026, KURUM International është identifikuar nga organi i akuzës si prodhuesi i mbetjeve të rrezikshme, ndërsa shoqëria “Sokolaj” si eksportuese e ngarkesës.
Prokuroria pretendon se kompania ka bashkëpunuar me subjekte të tjera për të fshehur natyrën e vërtetë të mbetjeve dhe për të realizuar eksportin e tyre në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.
KURUM International ka mohuar lidhjen me eksportin e mbetjeve të rrezikshme. Pretendimet e Prokurorisë mbeten objekt i procesit penal dhe nuk përbëjnë në vetvete një vendim përfundimtar gjyqësor mbi përgjegjësinë e kompanisë.
Megjithatë, përfshirja e emrit të kompanisë në këtë hetim dhe vendimi i fundit për shfuqizimin e lejes mjedisore vendosin sërish në qendër të vëmendjes çështjen e kontrollit të aktiviteteve industriale, administrimit të mbetjeve dhe respektimit të standardeve mjedisore.
Çfarë ndodh me aktivitetin e uzinës?
Shfuqizimi i lejes mjedisore ngre pikëpyetje të rëndësishme për vijimësinë e aktivitetit industrial të KURUM International në Elbasan.
Leja e tipit A mbulonte një gamë të gjerë procesesh metalurgjike, përfshirë prodhimin dhe përpunimin e çelikut, fonderitë dhe përpunimin e metaleve.
Humbja e këtij autorizimi krijon pasoja të drejtpërdrejta për bazën ligjore mjedisore të ushtrimit të këtyre veprimtarive.
KURUM International ka qenë edhe më parë në qendër të zhvillimeve që lidhen me funksionimin e uzinës dhe marrëdhëniet e punës./ekofin