Prodhuesit europianë rrezikojnë të dorëzohen përballë konkurrencës me Kinën deri në vitin 2030

10 Nëntor 2026, 23:49Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Prodhuesit europianë rrezikojnë të dorëzohen

Prodhuesit europianë mund të heqin dorë nga përpjekjet për të konkurruar me kompanitë kineze deri në vitin 2030, nëse vazhdojnë tendencat aktuale të tregut.

Paralajmërimi vjen nga Jens Eskelund, president i Dhomës së Tregtisë së Bashkimit Europian në Kinë, i cili ngre shqetësimin për të ardhmen e industrisë europiane dhe rrezikun e humbjes masive të vendeve të punës.

Sipas tij, kompanitë europiane po përballen me vështirësi gjithnjë e më të mëdha për të konkurruar me prodhuesit kinezë, veçanërisht në sektorët e automobilave, kimikateve dhe teknologjive të energjisë së rinovueshme.

Eskelund vlerëson se Europa mund të detyrohet të ndryshojë strategjinë e saj ekonomike, duke u lejuar kompanive vendase të bëhen pjesë e zinxhirëve kinezë të furnizimit, në vend që t’i trajtojnë prodhuesit e Kinës vetëm si rivalë.

Ai e përshkruan këtë ndryshim me kalimin nga modeli “Prodhuar në Kinë për Kinën” drejt një filozofie të re: “Në Kinë, për botën”, ku kompanitë evropiane mund të prodhojnë në bashkëpunim me partnerët kinezë dhe të përfitojnë nga rrjetet e tyre globale të shpërndarjes.

Sipas një raporti të Goldman Sachs, të cilit i referohet Eskelund, eksportet kineze mund të ulin Prodhimin e Brendshëm Bruto të Bashkimit Evropian me 0.5% deri në fund të dekadës, ndërsa ndikimi për Gjermaninë mund të arrijë deri në 0.9%.

Konkurrenca kineze po ndihet veçanërisht në industrinë gjermane të automobilave.

Prodhues si BYD, Geely dhe SAIC Motor po forcojnë praninë e tyre në tregun evropian, ndërsa kompanitë tradicionale përballen me rënie të shitjeve dhe fitimeve në Kinë.

Një nga shembujt e fundit është BMW, e cila raportoi një rënie prej 22% të shitjeve në tregun kinez gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2026, ndërsa paralajmëroi sërish për fitimet dhe planet për shkurtimin e 8 mijë vendeve të punës.

Eskelund thekson se kjo situatë nuk duhet të konsiderohet e papritur, pasi strategjia e Kinës për të reduktuar varësinë nga importet dhe për të forcuar prodhimin vendas është ndjekur prej vitesh.

Plani i fundit pesëvjeçar i Pekinit për periudhën 2026–2030 parashikon investime dhe zhvillim në fusha si inteligjenca artificiale, robotika, teknologjia e gjelbër, bioprodhimi, kompjuterët kuantikë dhe komunikimi 6G.

Sipas tij, rreziku për Europën nuk lidhet vetëm me humbjen e konkurrueshmërisë industriale, por edhe me pasojat sociale që mund të sjellë dobësimi i prodhimit vendas. Këto përfshijnë papunësinë masive, tkurrjen e bazës tatimore, rritjen e shpenzimeve sociale dhe dobësimin e komuniteteve që varen nga industria.

Në këtë kontekst, kreu i Dhomës së Tregtisë së BE-së në Kinë u bën thirrje institucioneve evropiane të angazhohen në dialog me Pekinin, për të krijuar kushte ku bashkëpunimi tregtar të sjellë përfitime për të dyja palët.

Ai argumenton se për disa kompani europiane, përfshirja në zinxhirët kinezë të furnizimit mund të jetë mënyra për të ruajtur konkurrueshmërinë në tregjet globale, edhe në kushtet kur rivaliteti i drejtpërdrejtë me prodhuesit kinezë po bëhet gjithnjë e më i vështirë.


Video