Kush është kardiologu që rrëzoi Vuçiç pas 14 vitesh në pushtet

25 October 2026, 22:32Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Kush është kardiologu që rrëzoi Vuçiç pas 14
Ilija Srdanoviç

Ilija Srdanoviç, kardiolog dhe profesor në Fakultetin e Mjekësisë në Novi Sad, është figura që udhëhoqi drejt fitores “Listën e Studentëve” në Serbi, duke i dhënë fund dominimit politik 14 vjeçar të Aleksandar Vuçiç

Po kush është Ilija Srdanoviç?

Angazhimi i tij politik mori një drejtim të ri pas mbështetjes publike për protestat studentore kundër korrupsionit. Në shtator të vitit 2026, ai u prezantua si drejtues i listës së pavarur studentore, duke përfaqësuar një lëvizje që kërkon ndryshime në mënyrën e funksionimit të institucioneve dhe në drejtimin e vendit.

Platforma e tij politike vë theksin te decentralizimi i sistemit shëndetësor dhe te përparësia e interesave kombëtare, përpara një integrimi të menjëhershëm në Bashkimin Evropian.

Gjatë një takimi të fundit me studentët në Novi Sad, ku u prezantua si kandidat, Srdanoviç u ndal te tragjedia e stacionit hekurudhor të qytetit, ku shembja e një strehe betoni shkaktoi vdekjen e 16 personave. Ai theksoi se, gati dy vjet pas ngjarjes, qytetarët vazhdojnë të kërkojnë përgjigje dhe përgjegjësi për atë që ndodhi.

Sipas tij, një pjesë e shpresës për ndryshim lidhet me brezin e ri dhe angazhimin e tij për një të ardhme më të mirë të Serbisë. Ai e sheh rininë si një forcë që mund të ndikojë në transformimin e vendit dhe në përmirësimin e institucioneve.

Srdanoviç ka lindur në vitin 1970 në Novi Sad, ku ka ndërtuar edhe karrierën e tij akademike dhe profesionale. Pas përfundimit të studimeve të mjekësisë dhe specializimeve përkatëse, ai mbrojti doktoraturën në vitin 2012.

Prej vitit 2018, ai është pjesë e stafit akademik të Fakultetit të Mjekësisë në Novi Sad, ku jep mësim në departamentin e mjekësisë së emergjencave.

Përfshirja e tij në lëvizjen studentore erdhi në kuadër të protestave kundër korrupsionit, të cilat ai i mbështeti që në fazat e para. Ai doli për herë të parë për të folur në tubimet e zhvilluara në Beograd në maj të këtij viti, duke e forcuar gradualisht profilin e tij publik.

Me përvojën në fushën e mjekësisë dhe angazhimin në lëvizjen studentore, Srdanoviç është shndërruar në një nga figurat përfaqësuese të përpjekjeve për ndryshim politik në Serbi.


Video