Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken ka dënuar ashpër sulmin ndaj policisë së Kosovës, duke e cilësuar atë të papranueshëm.
Ai shkroi në rrjetin social X se qeveria e Kosovës dhe ajo e Serbisë duhet të shmangin veprimet që mund të nxisin më tej tensionet dhe t’i kthehen menjëherë dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.
“Sulmet e dhunshme të fundit ndaj Policisë së Kosovës pranë Manastirit të Banjskës janë të papranueshme. I bëjmë thirrje qeverive të Kosovës dhe Serbisë që të shmangin veprimet që mund të nxisin më tej tensionet dhe t’i kthehen menjëherë dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, u shpreh ai në rrjetin social X.
Për rreth 1 ditë një prej komunave në veri të Kosovës, Zveçani ka qenë pre e një sulmi të paprecedentë nga ana grupeve kriminale serbe, të cilët vranë efektivin në detyrë Afrim Bunjakun. Grupe të organizuara me uniforma, të armatosur rëndë mësynë në veri të Kosovës qëlluan në drejtim të policisë së Kosovës, duke vrarë 1 dhe duke plagosur 2 të tjerë.
Në orët e mbrëmjes, ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se tre sulmues janë vrarë, ndërsa gjashtë persona, që dyshohet se ishin në kontakt me ta, janë arrestuar.
Pas ngjarjes ka patur një sërë reagimesh të njëpasnjëshme duke nisur nga autoritetet e Kosovës, komuniteti ndërkombëtar, mediat dhe autoritetet serbe.
Dy krerët e vendeve si Kurti dhe Vuçiç kanë sulmuar njëri-tjetrin si shkaktar të situatës së ndodhur. Kurti e ka quajtur grupin të përgatitur ushtarakisht në Beograd, kurse Vuçiç është shprehur se “edhe sikur të na vrasin të gjithëve, Kosovën nuk do ta njohim”.