Kosova sot është në ditë zie në nderim të policit Afrim Bunjaku i cili u vra të dielën e 24 shtatorit 2023 gjatë përleshjeve me një grup kriminal prej 30 personash të armatosur serbë në veri të Kosovës, në fshatin Banjskë të Zveçanit e banuar me shumicë serbe.
Flamujt e të gjithë institucioneve do të ulen në gjysmë shtizë, dhe do të kryhen nderimet e rastit. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani shpalli ditën e sotme ditë zie.
“Zija shtetërore do të jetë gjatë ditës së hënë, ndërkaq Protokolli i Shtetit ngarkohet që t`i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Presidencës së Kosovës.
Po sot në ora 16:00 do të mbahet edhe ceremonia e varrimit. Bunjaku do të prehet në varrezat e fshatit Samadrexhë të Vushtrisë, ndërsa mbrëmjen e djeshme u ndezën qirinj dhe u kryen homazhe për policin 50 vjeçar.
Mëngjesin e sotëm media e Kosovës raporton se në fshatin Banjskë të Zveçanit nata ka qenë e qetë ndërkohë operacionet e Policisë në kërkim të terroristëve që kanë arritur të largohen, mbrëmë u ndërprenë. Ndërsa sot në policia kishte në kontroll gjithë perimetrin edhe të Manastirit në Banjskë të Zveçanit por edhe të gjithë fshatit për shkak të pranisë së madhe të saj. Një grup i disa makinave të blinduara të EULEX-it ka shkuar atje.