Një tjetër aksident i rëndë me pasojë vdekjen e një të riu shqiptar ka ndodhur rreth orës 02:00, pas mesnate në via Monte Bianco në Limbiate, në provincën e Monza dhe Brianza të Italisë.
Mediat italiane raportojnë se një makinë “Range Rover” që udhëtonte përgjatë rrugës Saronno-Monza në drejtim të Saronnos, ka humbur kontrollin duke u përplasur me rrethrrotullimin në via Monte Bianco.
Pas përplasjes makina është kthyer përmbys duke përfunduar në shinat e trenit afër vendit ku ndodhi aksidenti.
Në makinë ndodheshin tre të rinj të moshës 18, 22 dhe 23 vjeç.
Sipas autoriteteve italiane në vendin e ngjarjes shkuan ambulancat dhe zjarrfikësit të cilët nxorën nga mjeti të rinjtë dhe më pas u dërguan në spital.
Nga personat e plagosur, i riu 22-vjeçar i identifikuar si Arnold Selishta nga Mamurrasi, humbi jetën për shkak të plagëve të rënda që kishte marrë.