Nënkryetari i Kuvendit të Serbisë, njëherësh gjenerali në pension Bozhidar Deliç, ka vdekur në moshën 67-vjeçare. Shoqata e Veteranëve të Brigadës së Motorizuar 549, njoftoi se Deliç vdiq pas një sëmundjeje të gjatë.
Ai u tha se vdiq në Moskë të Rusisë, ku kishte shkuar për trajtim mjekësor. Deliç ishte zgjedhur nënkryetar i Kuvendit të Serbisë më 2 gusht të këtij viti, pasi në zgjedhjet parlamentare të 3 prillit, ai kishte udhëhequr listën NADA (Shpresa).
Bozhidar Deliç u lind në fshatin Lugbunar të Gjakovës më 8 janar 1956. Ai ishte shef i shtabit të Brigadës së Motorizuar 715 të Ushtrisë së Republikës Sërpska gjatë luftës në Bosnjë e Hercegovinë. Më pas ai u bë komandat i Brigadës së Motorizuar 549 gjatë luftës në Kosovë.
Në periudhën 2002-2005, ai ishte pjesëtar i Drejtorisë Operacionale të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave dhe të Ushtrisë së Serbisë dhe Malit të Zi.
Si dëshmitar i mbrojtjes, ai dha dëshmi para Tribunalit të Hagës në gjykimin kundër ish-presidentit jugosllav, Slobodan Millosheviç dhe gjeneralit Vladimir Lazareviç. Bozhidar Deliç ishte pjesëtar i Partisë Radikale Serbe, lideri i së cilës, Vojslav Sheshel u dënua nga Tribunali i Hagës.