Borrell kundërshton ndalimin e vizave për qytetarët rusë

23 August 2022, 14:36Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Borrell kundërshton ndalimin e vizave për qytetarët rusë
Josep Borrell

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell deklaron se nuk e mbështet idenë për ndalimin e vizave për qytetarët e Rusisë.

Këtë deklaratë ai e bëri para takimit që ministrat e jashtëm të vendeve të BE-së do ta mbajnë javën e ardhshme në Pragë.

Borrell tha se nuk është ide e mirë t’u ndalohet hyrja në BE të gjithë rusëve, duke sugjeruar që vendet e BE-së të aplikojnë një qasje më selektive.

Përveç kësaj, ai vuri në dukje se mbi 300,000 rusë u larguan nga vendi i tyre që nga fillimi i luftës në Ukrainë dhe tha se BE-ja nuk duhet t’i mbyllë dyert e saj për këta qytetarë.

Ndërsa Borrell sugjeroi që BE nuk kufizon lëvizjen e qytetarëve të pafajshëm, ai tha se oligarkët dhe ata që janë përgjegjës për luftën duhet të vazhdojnë të mbeten subjekt i masave kufizuese.

“Oligarkëve, natyrisht, nuk duhet t’ua hapim derën. Këtyre rusëve duhet t’u bllokojmë hyrjen. Por ka shumë rusë që duan të ikin nga vendi sepse nuk duan të jetojnë në këtë situatë”, tha Borrell.

Në mënyrë të ngjashme, kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka thënë gjithashtu se vendosja e një ndalimi të hyrjes për rusët nuk është një ide e mirë.


Video