Vrasja e ish-kryeministrit Shinzo Abe në orët e para të mëngjesit të së premtes teksa po zhvillonte një fushatë në qytetin Nara tronditi Japoninë, por edhe politikën në të gjithë botën.
Në drejtim të tij, u qëllua dy herë, por Aben e kapi plumbi i dytë që më pas rezultoi fatal për të pasi i mori jetën.
41-vjeçari, Tetsuya Yamagami i arrestuar në lidhje me këtë ngjarje të rëndë, po qëndronte mbrapa Shinzo Abe, në një distancë të afërt.
Pas së shtënës së parë, Abe i cili po fliste, kthehet për të parë dhe në atë moment është qëlluar për herë të dytë, ku më pas ish-kryeministri ka rënë në tokë.
Motivet e dyshuara të vrasjes se udhëheqësit më jetëgjatë në Japoni, e liderit japonez me te njohur në botë janë po aq të pazakonta sa edhe atentati ndaj tij. Sipas Policisë, autori, një ish-marins 41-vjeçar, kishte dëshmuar se e kishte vrarë Aben pasi besonte që ishte pjesë e një organizate të caktuar, ndaj të cilës kishte mospëlqim.
Ai e kishte pranuar se kishte qëlluar nga pas 67-vjeçarin, me një armë të krijuar vetë. Sipas zyrtarëve të sigurisë arma përbëhej nga dru e metal, ndërsa në shtëpinë e agresorit u gjetën më vonë lëndë të dyshuar shpërthyese. Hetimet vazhdojnë për të përcaktuar nëse vrasësi kishte vepruar i vetëm.
Në rrjetet sociale japoneze, hashtagu “duam demokraci, jo dhunë” ishte mes më të shpërndarëve ditën e premte. Shumë përdorues u shprehën të tmerruar dhe neveritur nga ngjarja. Dhuna me armë është ekstremisht e rrallë në Japoni ku pistoletat janë të ndaluara dhe incidentet që përfshijnë politikanë janë thuajse të padëgjuara. Pasuesi i Abes, Kryeministri Fumio Kishida, u zotua se demokracia nuk do të gjunjëzohej kurrë ndaj dhunës në Japoni.
Shinzo Abe cilësohej një nga politikanët me më shumë influencë në kohët moderne. Shinzo Abe është kryeministri që ka shërbyer më gjatë në këtë detyrë.
Ai e rimori qeverisjen në vitin 2012 dhe qëndroi deri në vitin 2020 kur dha dorëheqjen për shkak të problemeve shëndetësore.