Papa: Lehjet e NATO-s në portat e Rusisë mund ta kenë shtyrë Putinin në pushtimin e Ukrainës

7 May 2022, 19:23Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Papa: Lehjet e NATO-s në portat e Rusisë mund ta kenë shtyrë

Papa Françesku tha se “lehjet” e NATO-s në portat e Rusisë mund të ketë çuar në pushtimin e Ukrainës nga Vladimir Putin dhe tha se ai është ofruar të takojë Presidentin rus në Moskë.

Në një intervistë me gazetën italiane Corriere della Sera, Françesku reflektoi mbi agresionin vdekjeprurës të Rusisë ndaj fqinjit të saj dhe tha se megjithëse mund të mos shkonte aq larg sa të thoshte se prania e NATO-s në vendet e afërta "provokoi" Moskën, ajo "ndoshta i dha një argument të mirë”.

Françesku dënoi gjithashtu "brutalitetin" e luftës dhe e krahasoi atë me luftën civile të Ruandës në vitet 1990, e cila rezultoi në një gjenocid të minoritetit Tutsi.

Vatikani ka kërkuar që nga mesi i marsit një takim midis Françeskut dhe Putinit në Moskë, tha Papa. “Sigurisht që ne kishim nevojë që lideri i Kremlinit të na jepte kohë. Ne nuk kemi marrë ende asnjë përgjigje dhe ne ende po përpiqemi, edhe pse kam frikë se Putini nuk mund dhe nuk dëshiron ta ketë këtë takim në këtë moment”.

Në intervistë, Françesku përjashtoi mundësinë për të shkuar në Kiev për momentin: "Së pari duhet të shkoj në Moskë, së pari duhet të takoj Putinin".

Françesku tha se kishte anuluar një takim me Patriarkun Kirill, kreun e Kishës Ortodokse Ruse dhe një mbështetës kyç i Putinit që e ka mbrojtur luftën, pasi të dy menduan se nuk ishte koha e përshtatshme për ta zhvilluar këtë takim, por në një telefonatë tha se ai paralajmëroi Kirillin për të mos “shndërruar veten në djallin e altarit të Putinit”.

Që nga pushtimi i Ukrainës, Françesku e ka kritikuar vazhdimisht pushtimin, duke shmangur emërtimin e Putinit në mënyrë eksplicite, në përputhje me politikën e jashtme të Vatikanit për të mbajtur derën e hapur për dialog të mundshëm.

 


Video