“Nuk po negocioj në emër të Ukrainës”, Trump niset për në Alaska: S’ka biznes me Rusinë derisa të zgjidhim luftën

15 August 2025, 14:58Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
“Nuk po negocioj në emër të Ukrainës”, Trump
Trump niset për në Alaska

Presidenti amerikan Donald Trump sapo është nisur drejt Alaskës për t’u takuar me homologun e tij rus Vladimir Putin.

Siç raporton CNN, avioni presidencial amerikan “Air Force One” është nisur nga baza ajrore Joint Base Andreës, me destinacion Alaskën, ku do të mbahet një samit i rëndësishëm me presidentin e Rusisë.

Ndërsa bëhej gati për të hipur në avion, Trump foli shkurt para gazetarëve, duke thënë se nuk po shkon të “negociojë në emër të Ukrainës”.

Ai nuk premtoi dhënien e garancive të sigurisë për Ukrainën si pjesë e një marrëveshjeje për përfundimin e luftës, duke thënë se është i hapur për një ide të tillë, por se Evropa duhet të marrë drejtimin.

“Ndoshta,” u shpreh ai për gazetarët.

Trump e bëri të qartë se masa të tilla nuk do të përfshijnë anëtarësimin e Ukrainës në NATO.

“Jo në formën e NATO-s,” tha ai. “Ka disa gjëra që nuk do të ndodhin.”

Lidhur me tregtinë e mundshme, Trump pretendon se Putini “dëshiron një pjesë” të ekonomisë dhe biznesit amerikan.

“Vërej se ai po sjell shumë biznesmenë nga Rusia dhe kjo është mirë, më pëlqen kjo, sepse ata duan të bëjnë biznes, por ne nuk do të bëjmë biznes derisa të zgjidhet lufta”, tha Trump.

Ndërkohë janë zbuluar dhe emrat e zyrtarëve që udhëtojnë me presidentin Trump drejt Alaskës.

Në listë përfshihen 16 persona, mes të cilëve:

-Sekretari i Shtetit Marco Rubio,

-Sekretari i Thesarit Scott Bessent,

-Sekretari i Tregtisë Howard Lutnick,

-Emisari i Posaçëm Steve Witkoff,

-Zëdhënësja e Shtypit Karoline Leavitt

-Drejtori i CIA-s, John Ratcliffe


Video