Kurti: Pas Krishtlindjeve takim me komandantin e KFOR për heqjen e barrikadave në veri, kjo gjendje nuk tolerohet më

24 December 2022, 20:54Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Kurti: Pas Krishtlindjeve takim me komandantin e KFOR për heqjen e
Albin Kurti

Prej dy javësh barrikadat e vendosur nga serbët në veri të Kosovës kanë penguar lirinë e lëvizjes duke sjellë dhe tensionimin e situatës. Por kjo duket se nuk do të tolerohet më nga qeveria e Kosovës.

Në një deklaratë për mediat, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se KFOR-i ka kërkuar kohë për heqjen e tyre, por shtoi se kjo gjendje nuk mund të tolerohet më.

Kurti ka paralajmëruar se pas Krishtlindjeve do të takohet me komandantin e KFOR-it, për të sqaruar se si do veprohet me barrikadat në veri të Kosovës.

“KFOR-i ka kërkuar pak kohë, ne i kemi dhënë pak kohë. Por sot janë bërë dy javë që janë vendosur 11 barrikada dhe ato janë duke penguar lirinë e lëvizjes. KFOR-i gjithmonë është zotuar për ambient të qetë e të sigurt për liri të lëvizjes. Liria e lëvizjes ka qenë vlera kryesore që KFOR-i e ka afirmuar gjithë këto vjet të pasluftës. Andaj ne i kemi dhënë kohë KFOR-it. Por tash lirinë e lëvizjes s’e kemi meqë kemi barrikada. Dhe këto barrikada janë të njerëzve të armatosur. Janë të pozicionuara në atë mënyrë që ta mbrojnë personin e armatosur që të shtijnë në veturat që vijnë sesa të bllokojnë rrugët. KFOR-i ka kërkuar kohë, dhe meqë sot është Krishtlindja, pas Krishtlindjes duhet ta kemi një takim me komandantin e KFOR-it. S’mund të tolerohet kjo gjendje. Në atë takim që presim ta kemi pas Krishtlindjes me Komandantin e KFOR-it besoj do të sqarohet gjithçka dhe do t’iu japim përgjigje”, tha Kurti.

Grupe të qytetarëve serbë në veri ngritën barrikada qysh më 10 dhjetor, për të kundërshtuar arrestimin e një ish-polici serb nga Policia e Kosovës.


Video