
Ish-futbollisti brazilian Edson Arantes do Nascimento 'Pelé' "vazhdon luftën", tha një nga vajzat e tij këtë të premte, pasi mori vesh për përkeqësimin e gjendjes së tij shëndetësore.
"Ne jemi ende këtu, në luftë dhe me besim. Edhe një natë së bashku,"- ka shkruar Kely Nascimento në Instagram, së bashku me një foto të saj duke përqafuar babanë në shtratin e spitalit Sao Paulo ku ndodhet ish-lojtari 82-vjeçar i shtruar.
Kjo është fotografia e parë e Pelé, pasi dy ditë më parë, mjekët e tij raportuan se kanceri i tij ishte avancuar, duke i shkaktuar "mosfunksionime" në veshkat dhe zemrën." Pasi mësuan për përkeqësimin e shëndetit të tre herë kampionit botëror, vajzat e tij njoftuan se ato do t’i kalojnë Krishtlindjet në spitalin, ku Pelé është shtruar që prej 29 nëntorit.
Pelé u shtrua në spital për të vlerësuar një ndryshim në trajtimin e kimioterapisë, të cilën ai e kishte marrë që nga zbulimi i një tumori të zorrës së trashë shtatorin e kaluar. Ditë më vonë, spitali raportoi se po e trajtonte edhe për një infeksion respirator që, sipas vajzave të tij, ai e vuante si pasojë e Covid-19.
Të mërkurën e kaluar, mjekët raportuan një përkeqësim të kancerit dhe thanë se ish-futbollisti "kërkon kujdes më të madh në lidhje me mosfunksionimin e veshkave dhe kardiake".