“Koha e Westminsterit po merr fund” - Mbretëria e Bashkuar drejt shpërbërjes?

14 September 2026, 17:19Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
“Koha e Westminsterit po merr fund” - Mbretëria e Bashkuar
Liderët e Irlandës së Veriut, Skocisë dhe Uellsit duan pavarësi

Liderët e Irlandës së Veriut, Skocisë dhe të Uellsit firmosën këtë të hënë një memorandum të përbashkët duke deklaruar se “koha e Westministerit po merr fund” dhe qeveria e Mbretërisë së Bashkuar duhet të përgatitet për ndryshime kushtetuese.

Marrëveshja u arrit të hënën në Cardiff mes liderit të Partisë Kombëtare Skoceze (SNP), John Swinney, kreut të Plaid Cymru në Uells, Rhun ap Iorwerth, dhe zëvendëspresidentes së Sinn Féin, Michelle O’Neill. Në takim mori pjesë edhe presidentja e Sinn Féin, Mary Lou McDonald.

Liderët u takuan në cilësinë e drejtuesve të partive të tyre dhe jo si përfaqësues zyrtarë të qeverive përkatëse.

Memorandumi u bën thirrje autoriteteve në Londër të “përgatiten, planifikojnë dhe lehtësojnë ndryshimin kushtetues”, ndërsa tre forcat politike angazhohen për bashkëpunim më të ngushtë në ekonomi, energji dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.

“Peizazhi politik në këta ishuj po ndryshon”, thuhet në marrëveshje.

Sipas dokumentit, për herë të parë Skocia, Uellsi dhe Irlanda e Veriut drejtohen nga kryeministra që mbështesin shkëputjen nga Mbretëria e Bashkuar.

“Për njerëzit që na shohin në këta ishuj dhe në mbarë botën, nuk mund të ketë sinjal më të qartë se koha e Westminsterit po mbaron”, thuhet në deklaratën e përbashkët.

Tre forcat politike argumentojnë se ekziston një alternativë ndaj modelit aktual të Mbretërisë së Bashkuar, e bazuar në bashkëpunimin mes kombeve si të barabartë.

“Ne besojmë se ndryshimi kushtetues po vjen”, deklarojnë ato.

BE-ja pjesë e vizionit të përbashkët

Një tjetër element i rëndësishëm i marrëveshjes është orientimi drejt Bashkimit Europian.

Dokumenti përcakton synimin për të kundërshtuar atë që partitë e përshkruajnë si “modeli i dështuar ekonomik i Whitehall-it”, për të shkëmbyer politika mbi rritjen ekonomike dhe për të zgjeruar bashkëpunimin në sektorin e energjisë.

“E ardhmja e kombeve tona është në Bashkimin Europian”, thuhet në marrëveshje.

Liderët insistojnë gjithashtu se secili prej kombeve ka të drejtën e vetëvendosjes dhe se qeveria qendrore britanike nuk duhet të ketë të drejtën të pengojë proceset demokratike për përcaktimin e së ardhmes së tyre.

“Qeveria e Westminsterit nuk ka të drejtë të bllokojë demokracinë apo të minojë parimin se popujt tanë do të vendosin vetë për të ardhmen e tyre”, thuhet në dokument.

Megjithatë, partitë pranojnë se pozicionet e tyre kushtetuese nuk janë identike dhe se secili vend do të ndjekë rrugën e tij.

Skocia dhe Uellsi synojnë pavarësinë si shtete më vete, ndërsa Sinn Féin kërkon bashkimin e Irlandës së Veriut me Republikën e Irlandës.

Pakti i Cardiff-it synon tani të krijojë një front të koordinuar politik përballë Londrës, duke i kërkuar qeverisë britanike të mos pengojë referendumet dhe të fillojë përgatitjet për mundësinë e ndryshimeve të mëdha në strukturën kushtetuese të Mbretërisë së Bashkuar.


Video