Hamas i përgjigjet propozimit amerikan, do të lirojë dhjetë pengje izraelite

31 May 2025, 17:32Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Hamas i përgjigjet propozimit amerikan, do të lirojë dhjetë
Gaza po përballet me një krizë të madhe urie, aq sa OKB e ka cilësuar “vendin më të uritur në Tokë

The Guardian raporton se Hamas-i ka dorëzuar përgjigjen për propozimin e armëpushimit që u paraqit nga i dërguari për Lindjen e Mesme i presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff, drejtuar ndërmjetësve.

Grupi palestinez thotë në një deklaratë zyrtare, se sipas marrëveshjes, do të lirojë dhjetë pengje dhe 18 trupa të pajetë në këmbim të lirimit të të burgosurve palestinezë nga ana e Izraelit.

Kujtojmë se Izraeli e paralajmëroi më herët Hamas-in, që të pranonte këtë armëpushim, përndryshe do të përballej me pasoja tejet serioze.

Teksa pritet të shohim sa do të jetë numri i të burgosurve palestinezë që do të fitojnë lirinë, Gaza po përballet me një krizë të madhe urie, aq sa OKB e ka cilësuar “vendin më të uritur në Tokë”.

Jens Laerke, zëdhënës i Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA), tha se 100 përqind e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh të Gazës është tani në prag të “urisë katastrofike”.

Sulmet izraelite janë intensifikuar në të gjithë enklavën, veçanërisht në Gazën Veriore, ku spitali Al Awda, spitali i fundit pjesërisht funksional në zonë, u detyrua të evakuohej pas sulmeve të përsëritura.

Gati 200,000 njerëz janë zhvendosur vetëm në dy javët e fundit duke shtuar se urdhri izraelit për zhvendosje tani mbulon rreth 30% të territorit të Gazës.


Video