Presidenti francez, Emanuel Macron u ka bërë thirrje qytetarëve për të kursyer energjinë elektrike.
Dimri nuk do të jetë i lehtë nisur nga situata aktuale energjitike dhe do të ketë ndërprerje të furnizimit me energji të qytetarëve.
Është ky paralajmërimi i presidentit francez Emanuel Macron. Ai u ka bërë thirrje francezëve se nëse kjo ndodh nuk duhet të tremben.
Në një intervistë me rrjetin televiziv TF1 kreu i shtetit ka bërë të ditur se është normale që qeveria të përgatitet pasi nganjëherë ndodh dhe e paimagjinueshmja.
Ai u kërkoi francezëve të kursejnë energjinë elektrike. “Nëse të gjithë bëjnë kujdes, kam besim se me punonjësit e kompanisë elektrike do ta kalojmë këtë periudhë. Kjo varet nga ne, nuk është për panik, por për përgjegjësi” ka bërë të ditur presidenti Macron.