
Prokuroria Themelore në Ferizaj, të mërkurën, në një konferencë për media, ka bërë të ditur se nga provat materiale të siguruara ka arritur të konstatojë se zyrtari policor është vrarë të martën në mbrëmje nga dy persona, në Komunën e Kaçanikut
Sipas prokurorisë deri më tani nuk ka të arrestuar. Zyrtari policor, sipas prokurorisë është qëlluar në shkallët e ndërtesës ku jetonte. Rasti ka ndodhur në mbrëmje, kur polici po kthehej nga puna.
“Siç dihet, mbrëmë më 1 prill, rreth orës 23:00, në Kaçanik, nga dy persona të panjohur, është vrarë pjesëtari i Policisë së Kosovës, Muhamed Lika. I njëjti, në kohën kur ka ndodhur rasti, ka qenë duke u kthyer nga puna. Në shkallët e ndërtesës nga persona të panjohur është qëlluar, dhe nga plagët vdekjeprurëse ka ndërruar jetë”, tha kryeprokurori, Burim Çerkini, në konferencën për media.
Prokuroria ka thënë se po punohet për të gjetur motivet e vrasjes së rëndë.
“Nuk kemi indikacion se ai si polic të ketë pasur ndonjë problem qoftë me procedurat që ka zhvilluar në hetime, apo edhe të ketë ndonjë problem personal, që do të na zbardhte motivin e vrasjes së tij”, ka shtuar Çerkini.
Çerkini ka mohuar se vrasja e rreshterit policor, ka ndodhur gjatë një tentim-grabitjeje. Sipas tij vrasja mund të ketë qenë e planifikuar.
Si një sulm të drejtpërdrejtë ndaj rendit dhe institucioneve të vendit e ka cilësuar ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, vrasjen e zyrtarit policor në Kaçanik.
Për rastin në fjalë ka reaguar edhe kryetari në detyrë i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca. Ai kërkoi hetim të plotë dhe të shpejt të rastit.