Kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Arben Ahmetaj është mirëpritur publikisht. Analistët dhe juristët e kanë interpretuar atë si pasojë e logjikshme dhe e pritshme pas zyrtarizimit të akuzave ndaj ish-zëvendësministrit në mes të muajit mars.
Por, kërkesa konsiderohet e vonuar dhe fajtori për këto vonesa është prokurori i posaçëm, Klodian Braho, që mori i pari në dorë dosjen e inceneratorit të Elbasanit. Prokurori akuzohet se zvarriti për muaj me radhë hetimet, nuk përfshiu në dosje provat që implikonin Arben Ahmetajn dhe se u përpoq që ta linte atë krejtësisht jashtë këtyre hetimeve.
Me deklarata që përsërisnin vazhdimisht se çështja ishte nën hetim, prokurori Klodian Braho as pohoi dhe as mohoi ndonjëherë qartësisht nëse Arben Ahmetaj po hetohej apo jo. Deklaratat e dyzuara, me ndarje të dosjes në fraksione e të tjera veprime proceduriale, që më shumë se procedurës i shërbenin për të ngatërruar publikun, Klodian Braho dyshohet se u përpoq që të nxirrte të larë Arben Ahmetajn.
Kjo përpjekje e tij provohet edhe nga fakti që në dosjen e inceneratorit të Elbasanit ai përfshiu pothuajse të gjitha dokumentet e siguruara nga sekuestrimi i kompjuterave të Klodian Zotos, me përjashtim të faturave të hoteleve që Klodian Zoto kishte paguar për Arben Ahmetajn.
U deshën dy denoncime të gazetarit Adriatik Doçi në dhjetor të vitit të kaluar për të shembur të gjitha përpjekjet për ta nxjerrë Arben Ahmetajn të palagur nga çështja e inceneratorëve. Së pari, Doçi dorëzoi kërkesën që në dosje të përfshiheshin faturat e hoteleve dhe së dyti, kallëzoi për shpërdorim detyre prokurorin Klodian Braho.
Nën dritën e këtyre provave, Klodian Braho u detyrua që të tërhiqej pa zhurmë nga dosja 277 fraksion 1, të cilën e mori vetë në dorë Altin Dumani, i sapozgjedhur në atë kohë drejtues i prokurorisë së posaçme.
Atë që Braho nuk e bëri për dy vite, Altin Dumani e bëri për dy muaj. Ai zyrtarizoi akuzat ndaj Ahmetajt, ushtroi kontrolle në vilat e njerëzve të afërt me të, që deri kur dosja hetohej nga Braho ishte i paimagjinueshëm dhe tashmë ka dërguar në Kuvend kërkesën për arrestimin e Ahmetajt.
Të gjitha këto veprime mund të ishin kryer dy vite më parë, nëse prokurori i posaçëm, Klodian Braho do të hetonte me paanshmëri dhe objektivitet këtë dosje.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.