Qeveria futet në biznesin 36 milionë eurosh të vdekjes

5 July 2023, 21:46Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Qeveria futet në biznesin 36 milionë eurosh të vdekjes
Foto ilustruese

Qeveria ka miratuar këtë të mërkurë një vendim, sipas të cilit të gjitha agjencitë funerale që duan të ofrojnë këtë shërbim duhet të aplikojnë te bashkitë ku ushtrojnë aktivitetin për licencë.

Vendimi i pazakontë vendos disa kushte për agjencitë funerale, ku ndër të tjera vendimi sjell për herë të parë termin “Shtëpi funerale”, që në përcaktim është ambienti i padukshëm nga jashtë, i cili shërben si shtëpi pritjeje për kryerjen e ritualeve të lamtumirës dhe riteve të tjera në nderim të personave të vdekur.

Aktualisht, agjencitë funerale në Shqipëri, përveç shërbimit funeral shtetëror, operojnë si biznese të regjistruara në Qendrën Kombëtare të Bizneseve. Numri i atyre të regjistruara shkon në disa qindra.

Aktiviteti i tyre është shtuar për shkak të plakjes së popullsisë. Përgjatë vitit të kaluar, INSTAT raportoi për gati 24 mijë të vdekur përgjatë vitit të kaluar. Kostoja e shërbimeve funerale varion sipas agjencive, por edhe sipas rretheve.

Prirja është që në zonat rurale dhe qytetet e vogla çmimi që aplikojnë agjencitë funerale janë më të ulëta, mesatarisht në 1 mijë euro, ndërsa në qytetet e mëdha çmimet janë më të larta dhe sipas shërbimeve të kërkuara mund të tejkalojnë edhe 2 mijë eurot.

Duke marrë si mesatare një shifër prej 1500 eurosh dhe duke e shumëzuar këtë shifër me 24 mijë të vdekur që regjistroi vend gjatë vitit të kaluar, rezulton se biznesi i agjencive funerale ka arkëtuar në 12 muaj 36 milionë euro.

Ndoshta kjo është arsyeja e ndërhyrjes së qeverisë në biznesin e agjencive funerale, duke kërkuar pjesën e vet nga biznesi i vdekjes.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video