
Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim janë vënë në garë se kush ngre më shumë lart flamurin e antikorrupsionit, duke “larë duart” me të shkuarën e tyre jo fort të largët e valvitur herë në Kuvend, e herë nëpër rrjetet sociale çarçafet e puritanizmit.
Por, a është vërtet aq parimore fushata që këto dy parti kanë ndërmarrë kundër inceneratorëve? Përplasja e fundit mes dy partive opozitare tregon që jo edhe aq. Përmes një postimi të gjatë në Facebook, Petrit Vasili, pasi akuzonte Jorida Tabakun se ishte shndërruar në një vegël qorre të Lulzim Bashës për gjobëvënien e radhës.
Fjala “gjobë” e artikuluar nga politikanët nuk mund të marrë asnjëherë kuptim pozitiv. Ajo është përdorur në deklarata publike, konferenca shtypi e deri në foltoren e Kuvendit për të akuzuar kundërshtarin politik se përmes gjuhës së zgjedhur po godet një biznes duke i vënë gjobën e radhës.
Kështu të paktën e akuzoi Edi Rama Lulzim Bashën gjatë një seance ku ky i fundit përmendi me radhë emrat e disa biznesmenëve që i quajti “oligarkë”. E logjika të çon në përfundimin se sipas pohimit të Petrit Vasilit dhe perceptimit të përgjithshëm se politika lundron në ujëra të errta për të arritur qëllimet e veta gjobëvënëse, edhe e gjithë zhurma e komisioni hetimor rreth incineratorëve mund të shihet si një mekanizëm gjobëvënës.
Por, këtë herë ka çarje të fortë të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Të dy partitë më të mëdha opozitare po zihen se kush e denoncoi e para në SPAK koncesionin e inceneratorëve, si të kishin shpik rrotën.
Krisja e hatërmbetja e LSI-së, sipas postimit të Petrit Vasilit për këtë çështje ka nisur që kur ai u la jashtë Komisionit Hetimor Parlamentar, që në përbërje ka vetëm PS e PD.
“Tabaku pra e ka një hall të madh, që gënjen kaq trashë dhe publikisht për fakte të shkruara e që flasin vetë dhe halli i vetëm është që të mbulojë refuzimin e LSI-së për të qenë pjesë e Komisionit, sepse prania e saj do të prishte planin e mirëmenduar të show-t me këtë Komision”, shkruan Vasili.
Pyetja që ngrihet është nëse vërtet Petrit Vasili dhe LSI u lanë jashtë nga PD për të mos prishur shoë-n në Komision, apo në logjikën gjobëvënëse të politikës u la jashtë “hises” së vet? Përgjigjen vetëm dy palët mund ta japin.
Në lidhje me komisionin hetimor parlamentar, ky nuk është as i pari dhe as i fundit që ngrihet në Kuvend. Në të shkuarën janë ngritur komisione hetimore parlamentare për CEZ, për 21 janarin dhe është ngritur edhe ai për zgjedhjet e 25 prillit. Bilancet e këtyre komisioneve dihen. Për këtë komision mbetet për t’u parë produkti, por përsa kohë për inceneratorët janë duke hetuar strukturat përkatëse të drejtësisë, hetimi i politikës ndoshta i shërben vetëm agjendave të ditës e gjobës së radhës me ‘dënimin publik të të akuzuarve’ pavarësisht se drejtësia nuk ka folur për ta.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.