Dosja në SPAK, i penduari rrëfen si u sigurua nga Shullazi tritoli që iu vendos Vajdin Lames në 2005-n

15 February 2022, 19:45Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Dosja në SPAK, i penduari rrëfen si u sigurua nga Shullazi tritoli

Në thelb të dosjes së vrasjes së Vajdin Lames në 2005, për të cilën SPAK mbylli hetimet këtë të martë duke marrë të pandehur Emiljano Shullazin, Viktor Ymerin dhe Lulzim Berishën qëndron dëshmia e një bashkëpunëtori të drejtësisë, pjesë e bandës së Durrësit.

Dëshmitari me inicialet L.R., ka deklaruar para prokurorëve se si u sigurua tritoli i përdorur për vrasjen e Lames gjatë kohës që ishte në ashensor së bashku me truprojen e tij. Në rrëfimin e tij, dëshmitari thotë se ka telefonuar shtetasin A., që dyshohet se bëhet fjalë për Adriatik Colin, një tjetër të penduar e bashkëpunëtor të drejtësisë.

Dëshmitari thotë se së bashku me tre persona të tjerë tritolin e morën nga Emiljano Shullazi, që ishte paraqitur në Durrës me një automjet “Peugeot” dhe që sapo kishte dorëzuar lëndën plasëse ishte larguar menjëherë duke i përshëndetur ata.

Ai rrëfen se vetë nuk ishte në dijeni se ndaj kujt do të organizohej sulmi dhe se e kishte mësuar vetëm nga televizori kur lajmet transmetuan vrasjen e Vajdin Lames. Më pas, dëshmitari tregon se ka komunikuar me Lulzim Berishën, që sipas tij, i kishte thënë se sulmi ishte vepër e Indrit Dokles.

L.R., tregon gjithashtu se gjatë qëndrimit në burgun e Peqinit, i dënuari me burg përjetë, Viktor Ymeri i kishte pohuar se ishte ai që e kishte gjetur njeriun që vendosi tritolin dhe ekzekutoi Vajdin Lamen.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video