
Telefonata e paralajmëruar mes Presidentit të SHBA, Joe Biden dhe atij rus, Vladimir Putin zgjati pak më shumë se një orë.
Asnjëra nga palët nuk ka dalë ende me një deklaratë për shtyp se çfarë u arrit në të, nëse Biden e ka bindur Putin që të tërhiqet nga planet për pushtimin e Ukrainës dhe se çfarë garancish i ka dhënë për këtë shefi i Kremlinit.
Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se telefonata zgjati një orë e dy minuta, por nuk dha asnjë detaj më shumë. Sipas ekspertëve, kjo do të thotë se nga bisedimet mund të mos jetë arritur gjë.
Diskutimi mes dy liderëve erdhi disa orë pasi SHBA-ja zhvendosi një pjesë të mirë të stafit të saj diplomatik nga Ukraina dhe u kërkoi qytetarëve largimin nga ky vend. E gjitha bota pret rezultatet e kësaj bisede teksa tensionet janë përshkallëzuar në maksimum në kufirin midis Rusisë dhe Ukrainës.
Pentagoni gjithashtu tërhoqi 160 trajnerë ushtarakë nga Ukraina dhe i zhvendosi ata diku tjetër në Europë, tha zëdhënësi John Kirby.
Rusia përflitet se ka rreth 200 mijë trupa të vendosura në Bjellorusi, Detin e Zi, Krime dhe në lindje të Ukrainës, të cilat sipas disa raportimeve mediatike kanë marrë urdhrin e pushtimit, por janë duke bërë përgatitjet përfundimtare për goditjen.
Plani, sipas raportimeve, është që sulmi të fillojë me bombardime të fuqishme ajrore, për t’u pasuar më pas me një ofensivë të tankeve, autoblindave dhe artilerisë me synim marrjen e Kievit brenda 48 orëve.
Megjithatë, Rusia ka mohuar se po përgatitet të pushtojë ndërsa vetë Presidenti ukrainas i ka cilësuar lajmet e pushtimit si panik që nuk i shërben zgjidhjes së situatës.
Aleatët më të rëndësishëm perëndimorë janë konsultuar në një videokonferencë të premten për krizën e Ukrainës dhe kanë theksuar edhe njëherë vendosmërinë për sanksione të shpejta e të thella në rast të një sulmi rus në Ukrainë.
Nga qarqet qeveritare gjermane bëhet e ditur, se gjendja vlerësohet nga Bashkimi Europian dhe NATO si "shumë, shumë serioze". Të gjitha përpjekjet diplomatike synojnë që Moska të mos shkojë më tej me shkallëzimin e situatës. "Ajo që vlen është të ndalet një luftë në Europë", bëri të ditur zëdhënësi i qeverisë, Steffen Hebestreit pas përfundimit të lidhjes telefonike me krerëve perëndimorë.