Fitoret si të Lulzim Bashës

10 February 2022, 18:38Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Fitoret si të Lulzim Bashës

Koherenca, ose e thënë shqip mbajtja e fjalës është një mision i vështirë në politikë. Megjithatë, në historinë 30-vjeçare të politikës shqiptare, vështirë se mund të gjesh një emër tjetër më pak koherent se Lulzim Basha.

Kryetari i Partisë Demokratike kafshoi sërish gjuhën këtë të enjte, kur bashkoi votat me socialistët për të miratuar zgjatjen e vettingut, që në prill të 2017-s, nga “Çadra e Lirisë” e quante një “projekt mafioz, që synonte kapjen e drejtësisë nga Edi Rama.

Gjithsesi, edhe këtë herë Lulzim Basha nuk e pati të vështirë që të gjejë justifikimin për këtë ndryshim 180 gradë. “E bëjmë se na e kërkuan ndërkombëtarët. E bëjmë për Shqipërinë”, tha ai. Sipas Bashës, nëse vettingu do t’i kalonte Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor, ky proces do të kontrollohej plotësisht nga Edi Rama.

Megjithatë, nuk ndante këtë mendim në shtator të vitit të kaluar, kur Sali Berisha nuk kishte nisur ende rebelimin në bazën e partisë përmes foltores. “Ky është një debat i kotë. Së pari, vettingu nuk skadon. U skadon mandati 14 të punësuarve atje. Kushtetuta ka parashikuar që vettingu kalon nga organet e përkohshme te organet e përhershme, që është KLP dhe KLGj”, deklaronte ai.

Ky është rasti i fundit dhe më i freskët kur Lulzim Basha lëpin aty ku pështyn, por në të shkuarën ka plot të tilla. Në 2017-n, në “Çadrën e Lirisë” për tre muaj Lulzim Basha themeloi “Republikën e Re”, ku Edi Rama nuk ishte më Kryeministër. Pas tre muajsh mbylljeje në çadër para Kryeministrisë, Lulzim Basha u ul më 17 maj 2017 me Edi Ramën, doli nga takimi dhe vendosi të “anulojë” projektin e Republikës së re. Hyri në zgjedhje dhe...humbi.

Pas kësaj u bënë meme deklaratat e kreut të PD-së, kur lidhte besën me banorët e “Astirit” se do t’u mbronte deri në fund shtëpitë, apo kur u betohej aktorëve të Teatrit Kombëtar se do ta mbront me trupin e tij godinën në fjalë.

Tani, pasi themeloi republikën e re, pasi mbrojti banorët e Astirit, pasi ndali shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar, Lulzim Basha votoi zgjatjen e mandatit të vettingut dhe pak orë pas votimit u paraqit në SPAK për të dëshmuar para prokurorëve belgë për çështjen e “Toyota Yaris”.

Rastësi? Berisha mendon që jo. “Në Tiranë kishin zbarkuar një skuadër e tërë prokurorësh të Belgjikës. Lulzim Brava nëse ju kujtohet ju, në Parlament doli e tha do të vijnë ditën e shtunën 5 mln euro me Toyota Yaris. Askush nuk e merr vesh cili ishte roli i tij në këtë organizatë kriminale. E bënë votimin para se të nisej në prokurori”, tha Berisha.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video