
Komisioni parlamentar për ndarjen e re territoriale nuk është formalizuar ende, por Partia Demokratike synon që të paraqesë për miratim në këtë komision ndarjen e propozuar në vitin 2014 me rreth 100 bashki.
Kërkesa është ende jozyrtare, por Voxnews.al mëson se drafti e projekti i shtatë viteve më parë është marrë dhe ricikluar nga Lulzim Basha për t’u shtruar për shqyrtim në Komisionin Parlamentar. Kjo u konfirmua edhe nga Lulzim Basha gjatë një aktiviteti të organizuar këtë të martë për këëtë çështje.
“Nuk jemi për sistemin e mëparshëm, por nuk mund të pranojmë një sistem të dështuar që ka larguar shërbimet nga qytetari”, tha Basha.
Para 2015 vendi ishte i ndarë në rreth 360 bashki dhe komuna. Pas reformës ato u reduktuan në 61 bashki më të mëdha. Basha tha se për këtë çështje do të ketë punë të vështirë me PS në Kuvend, duke e pranuar që palët ndajnë qëndrime të kundërta sa i takon numrit të bashkive.
“Kemi vizione antagoniste përballë njëri-tjetrit”, u shpreh ai.
Në fakt, qëndrimi i socialistëve edhe në 2015-n ka qenë për një numër edhe më të vogël bashkish. Dy propozime të tjera që u hodhën në atë kohë prej tyre ishte njëri me 36 dhe tjetri me 41 bashki. Në fund u miratua projekti me 61 bashki.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.