Partia Demokratike ka bërë publike procedurat që janë ndjekur për Inceneratorin e Elbasanit. Në disa debate televizive apo deklarata për mediat, Jorida Tabaku u mundua ta shmangte rolin e Arben Ahmetaj në dhënien e koncesionit.
Por denoncimet në media duket se e kanë detyruar që të dalë në konferencë dhe të përmend emrin e ministrit Ahmetaj si të përfshirë në inceneratorin e Elbasanit.
Kryetarja e këtij komisioni ka publikuar për mediat dokumentet, që tregojnë procedurat abuzuese dhe përfshirjen e Arben Ahmetajt në aferën e Elbasanit.
Deklarata e plotë:
Përfshirja e Arben Ahmetaj në aferën e Elbasanit
Procesverbali i datës 11 nëntor 2014 nga Komisioni për dhënien me Koncesion të Inceneratorit të Elbasanit tregon se kompania “Albtek Energy” ka bërë një kërkesë të pakërkuar, të cilën Ministria e Mjedisit e vlerëson. Komisioni e sheh të vështirë operimin e tij për këtë ofertë ndaj i kërkon ndihmë kryeministrit për të rishikuar ai buxhetin e shtetit pasi përndryshe “nuk mund të zbatojë në kushtet e ndodhura dhe implementimi i projektit ka ndikim në buxhetin e shtetit”.
Për këtë arsye Komisioni vendosi që “t’i propozojë Ministrit të Mjedisit, Ministrit për Zhvillimin Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes të hartojnë një projektvendim për mënyrën e përzgjedhjes “koncesion i përzier” sipas procedurës “negocim pa shpallje”, procedurë të cilën ligji nuk e parashikon.

Pra duket qartë që Komisioni për dhënien me Koncesion ia ka deleguar këtë kërkesë ish ministrit Lefter Koka që është në burg dhe ministrit të atëhershëm të Ekonomisë, Tregtisë dhe Sipërmarrjes Arben Ahmetaj.
Menjëherë pasi ish-ministri Koka merr informacion nga anëtarët e Komisionit për dhënien me koncesion të inceneratorëve lajmëron Ministrin Ahmetaj. Ky i fundit, brenda 2 ditësh i përgjigjet në shkresën e datës 14/11/2014 (duke presupozuar që ka lexuar ofertën, vlerësimin dhe ligjin) që është “parimisht dakord” për t’i dhënë kompanisë Albtek Energy koncesionin/PPP me “negocim pa shpallje”, duke pranuar një procedurë që është në kundërshtim me ligjin.
Si e zbuloi VoxNews implikimin e ministrit Ahmetaj në aferën e inceneratorit të Elbasanit
Në dokumentin e VoxNews Arben Ahmetaj kishte dhënë OK për koncesionin e inceneratorit të Elbasanit, përmes një shkrese që i ka dërguar ministrit Koka asaj kohe.
Shkresa e cila mban datën 14 nëntor 2014 shihet se Arben Ahmetaj ia ka dërguar Lefter Kokës në cilësinë e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, post që e mbante në atë kohë në kabinetin “Rama 1”.
Duket se presioni i mediave e detyroi dhe kryetaren e komisionit hetimor, Jorida Tabaku, të nxjerrë emrin e Arben Ahmetaj si të përfshirë në këtë konçesion. Ndryshe siç ndodh në Shqipëri çudia më e madhe 3 ditë zgjat dhe po nuk e kujtove PD e “harron” edhe Ahmetajn./VoxNews.al