
Ka zgjatur pak më shumë se dy orë protesta e qytetarëve kundër rritjes së çmimeve.
Protestuesit deklaruan se do të jenë çdo pasdite para kryeministrisë dhe lanë takim nesër në orën 17:00 para Kryeministrisë.
Nuk dihet si do të shkojë pasi nesër në mbrëmje është parashikuar një koncert i këngëtarit të njohur kolumbian, Maluma.
Protesta e pestë e thirrur nga shoqëria civile kundër rritjes së çmimeve, të naftës dhe të produkteve bazë të shportës është mbajtur sot para Kryeministrisë.
Protesta ka nisur në sheshin “Skënderbej” dhe më pas qytetarët kanë marshuar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për t’u ndalur para Kryeministrisë.
“Po nuk ranë çmimet, do bjerë qeveria”, “Ju jeni milionera, me vila e makina, s’paguaj më për ju, as unë dhe as familja!”, ishin disa nga thirrjet në protestë.
Pedagogu Ervin Goci deklaroi se kryeministri Edi Rama po përdor luftën në Ukrainë për propagandë. Ai i bëri thirrje qytetarëve t’i bashkohen protestës me fatura në duar.
“Hedh foto nga Ukraina për të shfrytëzuar në mënyrë banale, për te justifikuar vendimmarrje të qelbura që merr, tallje kolosale e interesave e vullnetit te njerëzve, e pafalshme se emergjenca jonë është të zgjidhen çështjet e çmimeve", tha ai.
“Ka 9 vite që më vjen turp që je kryeministri im. Duhet ta kalojmë përtej bindjeve politike”, tha një tjetër protestues duke iu përgjigjur kryeministrit Rama i cili e quajti turp protestën.