Tenderët e mirëmbajtjes së rrugëve kanë qenë shpesh herë shumë të debatuar, qoftë për punët e pakryera apo edhe për shembjet apo mosmarrjen në kohë të masave. Situata ka qenë shumë e rënduar në shumë akse, ku skandali i para pak viteve në Borsh vetëm sa e rikonfirmoi se paratë hidhen kot. Shpeshherë kemi parë që punëtorët e rrugëve vetëm sa presin ndonjë barishte dhe ferrë, ndërkohë që gropat e madha duan muaj që të mbushen.
Ndërkohë, po kaq problematike ka qenë mirëmbajtja e rrugëve nga bora, sidomos në zonat veriore. Aksesi për të shkuar në Bogë, Theth dhe Razëm ka qenë shpeshherë shumë i vështirë, me rrugë të bllokuara nga bora apo edhe me gurë të rënë në to. Firmat e kontraktuara as e kanë marrë mundimin për t’a pastruar, ndërkohë që është dashur ndërhyrja e mjeteve të tjera shtetërore, si ato të ushtrisë, për t’a çliruar.
Dhe, në gjithë këtë situatë, paratë vijojnë të hidhen lumë nga “pronari” i rrugës, i cili është Autoriteti Rrugor Shqiptar. Pavarësisht se kanë ndryshuar disa drejtorë, situata në terren mbetet e njëjtë; rrugë të bllokuara dhe të papastruara. Shoferë që rrezikojnë edhe jetën!
Disa muaj më parë, VoxNews denoncoi veprimet e Autoritetit Rrugor Shqiptar për tenderin e mirëmbajtjes së rrugëve për të shkuar në zonat turistikë në Shkodër si Bogë, Theth dhe Razëm. Në atë kohë, çifti Rrok dhe Vera Gega, të cilët janë pronarë të firmës “Rroku Guest”, u shpallën fitues të tenderit të majmë nga Autoriteti Rrugor Shqiptar. Njoftimi është bërë në muajin prill 2025, teksa fondi për mirëmbajtjen e këtyre akseve ishte rreth 3.3 milionë euro.
Por, nga ajo që denoncoi VoxNews rezultoi se fituesi, firma “Rroku Guest”, kishte dy dosje në Prokurorinë e Posaçme. Sipas informacioneve që disponon redaksia jonë, Rroku dhe Vera janë nën hetim për dy raste, dy tendera të Bashkisë së Tropojës, që i janë dhënë kësaj firme me “mik”. Në njërin rast bashkëpunoi me ish-kryetarin Rexhë Byberi dhe kryetaren e komanduar Zyra Islamaj.
Veprimet e drejtorit të ARRSH-së Gentian Gjyli ishin tepër të dyshimta, pasi ai skualifikoi ofertën që ofroi më pak, “NDERTUESI 2014” & “VARAKU E”, me vlerë 243 milionë lekë. “Rroku GUEST” & “DEHA 2010” ofruan 247 milionë dhe çuditërisht u shpallën edhe fitues në atë kohë.
Ndërkohë, koha kaloi dhe në Agjencinë e Prokurimit Publik u shpall një tjetër njoftim fituesi në datën 19 gusht 2025. Kësaj herë fitues doli oferta më e ulët, ajo e firmave “NDERTUESI 2014” & “VARAKU E”, firma të cilat duhet të mirëmbajnë 67.3 kilometra. Këto firma ofruan 243 milionë lekë.
Në dokumente përcaktohet se ky ndryshim i fituesit erdhi si pasojë e një morie vendimesh nga Komisioni i Prokurimit Publik. Vendimi i parë ishte në datën 5 mars 2025, për rivlerësimin e propozimit ekonomiko-teknik. Vendimi i dytë ishte në datën 14 prill 2025, ku u vendos mospranimin i ankesës së paraqitur nga “NDERTUESI 2014” & “VARAKU E”.
Vendimi i tretë ishte në datën 24 korrik 2025 për pranimin pjesërisht të ankesës së paraqitur nga bashkimi i operatorëve ekonomikë “Ndërtuesi 2014” SHPK & “Varaku E” SHPK dhe rivlerësim i procedurës së prokurimit nga Autoriteti Kontraktor.
Ishte pikërisht ky vendim që ndryshoi edhe fituesin, duke “rrëzuar” vendimmarrjen e Gentian Gjylit. Por nëse ka pasur shkelje, siç edhe u konstatua nga këto komisionet e famshme që vlerësojnë ofertat, përse nuk nisin hetimet?
Vlera e tenderit ishte e madhe dhe u deshën një mori vendimesh që haka të shkojë te i zoti. Për më tepër që veprimet e zyrtarëve të rrugëve janë tepër të dyshimta.
Për të njëjtin tender u mor edhe një vendim nga KPP-ja në mes të gushtit, në ditë të nxehta, “mbi vendimin dhe lejimin e ARRSH-së për të shpallur fituesin”.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.