Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka rihapur koncesionin e shumë debatuar të rrugës Milot–Balldre, një segment që do të lidhë Rrugën e Kombit me pjesën veriore të Shqipërisë. Kjo është hera e tretë që hapet ky koncesion, pasi dy tentativat e para kanë dështuar, fillimisht pasi firma fituese nuk siguroi dot paratë dhe herën e dytë ministria tha se “s’ka asnjë ofertë të përshtatshme”.
Ndërkohë, në herën e tretë ministria thotë se tenderi është ndërkombëtar dhe kërkon oferta edhe nga firmat e tjera. Duket një “lojë” që po zgjatet pafundësisht ndoshta edhe për të rritur kostot, të cilat deri më tani janë rritur shumë ndjeshëm. Por, barra do të bjerë mbi përdoruesit e rrugës, të cilët do të paguajnë edhe një kosto për çdo kalim, nisur edhe nga lloji i mjetit.
Sipas dokumenteve, në datën 8 gusht 2025 është rihapur koncesioni i rrugës Milot – Balldre, teksa njoftimi është publikuar në Agjencinë e Prokurimit Publik. Objekti i procedurës është “për dhënien me koncension të segmentit rrugor Milot-Balldre”.
Njoftimi vjen disa javë pasi VoxNews publikoi dokumentin e anulimit për herë të dytë. Në datën 14 korrik 2025, ministria nxori dokumentin zyrtar, ku theksonte se asnjë nga firmat që bëri ofertë nuk ishte e përshtatshme. Mësohet se para ministrisë paraqiten oferta disa nga firmat dhe oligarkët që kanë marrë tendera dhe koncesione, por ndryshimi i kursit i ka lënë të gjithë të habitur. Por nëse firma Gener 2 bëri Thumanë – Kashar, Salillari operon në Durrës – Kukës, teksa firmat A.N.K dhe 4 A-M fitojnë lehtësisht tendera nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, përse nuk dorëzuan asnjë ofertë të përshtatshme?!
Duket se negociatat mes firmave dhe personave që qëndrojnë pas tyre nuk mund të kenë avancuar. Në korrik ishte hera e dytë e anulimit të këtij koncesioni, ku herën e parë A.N.K nuk siguroi dot paratë.
Arsyet e anulimit në korrik ishte për shkak se “asnjë nga ofertat e paraqitura nuk përmbushin kërkesat e ftesës për procedurën konkurruese pra nuk është dorëzuar asnjë ofertë e përshtatshme. Ofertuesit janë njoftuar për skualifikimin e tyre nga Autoriteti Kontraktues në datë 19.06.2025”.
Mësohet se u paraqiten 4 oferta nga “Gener 2”, “Salillari”, “A.N.K” dhe “4 A-M”, por siç shkruan edhe ministria “s’kishte asnjë ofertë të përshtatshme”. Mësohet se koncesioni ka një gjatësi prej 17 kilometrash dhe investimi i privatit është parashikuar që të ishte rretht 365 milionë euro. Nga studimet e kryera rezultonte se aksi do të gjeneronte një shumë rreth 1 miliardë euro për 35 vite.
Firma fituese do të vendoste edhe një tra, ku tarifa bazë e kalimit në rrugën Milot-Balldre ishte 0.12 euro për kilometër. Kalimi i një mjeti autoveturë në 17 kilometra do të kushtonte 2.5 euro.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.