Policia shpenzon 270 mijë euro për biletat e personave të ekstraduar. A mos vallë është i paracaktuar tenderi?!

19 August 2025, 10:24Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Policia shpenzon 270 mijë euro për biletat e personave të
Foto ilustruese

Policia e Shtetit ka hapur një procedurë të majme për të blerë bileta avioni. Sipas dokumenteve të publikuara në Agjencinë e Prokurimit Publik, kërkohen bileta për të gjithë vitin për persona të ekstraduar si dhe për punonjësit e policisë që do t’i shoqërojnë. Në dokumentet shoqëruese kërkohet të ketë përvojë të ngjashme, duke ngritur dyshime të mëdha se e gjithë procedura është e paracaktuar!

Çdo javë kemi parë se shtetas shqiptar të arrestuar në vende të ndryshme të botës, kryesisht në Europë dhe së fundmi në Emiratet e Bashkuara Arabe, mbërrijnë në Shqipëri me pranga. Nëse me shumicën e vendeve europiane kemi një marrëveshje ekstradimi, ende nuk kemi një të tillë të mirëfilltë me Emiratet.

Në këtë vend dyshohet se qëndrojnë dhe janë nën arrest disa nga kapobandat më famëkeqe në Shqipëri, të cilët kanë rezidenca kryesisht në Dubai dhe Abu Dhabi. Nga ky shtet kanë ardhur me pranga në duar disa nga të shpallurit në kërkim nga SPAK-u, ku kryesisht ata depërtohen nga Emiratet dhe dërgohen në Turqi. Në Turqi shkojnë agjentë të Policisë së Shtetit dhe i shoqërojnë në rrugë ajrore deri në Rinas.

Policia shpenzon 270 mijë euro për biletat e personave të
Faksimile: Njoftimi i tenderit të hapur nga Policia e Shtetit për blerje bileta avioni

Gjithçka ka një kosto dhe ajo është tepër e madhe për buxhetin e shtetit. Sipas dokumenteve që disponon VoxNews, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, ka hapur tenderin me objekt “blerje bileta për të ekstraduarit dhe punonjësit shoqërues”.

Fondi limit i kontratës është 27.000.000 lekë, teksa afati kohor për ekzekutimin është një vit nga lidhja e marrëveshjes kuadër. “Dokumentet e tenderit do t’i vihen në dispozicion çdo operatori ekonomik të interesuar me anë të paraqitjes së një kërkese me shkrim pranë sektorit të prokurimeve në DPPSH” thuhet në dokumente.

Por ka edhe kritere, ku fillimisht bëhet parakualifikimi dhe përzgjedhja e kandidatëve. Faza e parë është para kualifikimi. ku ka të bëjë me përzgjedhjen e kandidatëve, përpara dërgimit të ftesës për ofertë nga AK-ja. “Para kualifikimi i ofertuesve është një proces i ndryshëm nga procedura e vlerësimit të ofertave, e cila përqendrohet në çmimin dhe kriteret e përcaktuara në dokumentet e tenderit. Procesi i para kualifikimit do të bëhet duke u përqendruar në vlerësimin e përvojës dhe aftësinë e kandidatëve për të zbatuar në mënyrë të kënaqshme kontratën konkrete. Qëllimi kryesor i para kualifikimit është përzgjedhja e atyre kontraktorëve /furnitorëve, kualifikimet dhe përvoja e të cilëve minimizon rrezikun e mosekzekutimit, sipas projektit/kontratës së propozuar” vijon dokumenti.

A mos vallë është i paracaktuar?! Dhe të gjithë e dinë se kush e bën linjën e Turqisë!

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video