Media konsiderohet si pushteti i katërt dhe me rol transparencën dhe denoncimet për publikun të keqqeverisjes nga tre pushtetet e tjera; ai legjislativ, ekzekutiv dhe ai gjyqësor.
Por, ka raste kur media kthehet në një armë për mbrojtjen e interesave të bizneseve të pronarëve të tyre, edhe kur këto biznese kapen në shkelje.
Rreth dy muaj më parë pronari i Focus Media Group, Irfan Hysenbelliu, u akuzua nga mediat për nisjen e një sulmi ndaj Drejtorisë së Tatimeve vetëm e vetëm se kjo e fundit kishte nisur hetimet për evazion fiskal te bizneset e tij.
Tani, në shënjestër të Hysenbelliut ka përfunduar Drejtoria e Doganave. Këtë herë investigimi i News24 zbulon skandalin se në radhët e doganave po promovohen punonjës që në Greqi janë në gjykim.
Dyshimet se pas artikullit qëndrojnë interesa të tjera dhe jo ato të denoncimit të keqdrejtimit të doganave (jo se Gent Gazheli ka shkëlqyer në këtë post) ngjallen menjëherë kur në çdo paragraf të tij pothuajse shmanget institucioni (pra, Drejtoria e Doganave) dhe institucioni njësohet me Gent Gazhelin.
Pra, mesazhi është i qartë dhe i drejtohet Drejtorit të Doganave, ndoshta me kodin e fshehtë brenda.
Këtë artikull nuk e nisim për t’i dalë në mbrojtje Gent Gazhelit. Ky i fundit erdhi si drejtor doganash pas skandalit që i shpërtheu si Ambasador në Turqi, ku shpërfilli kërkesën e babait të Alvin Berishës për të ndihmuar që të merrte të birin nga Siria.
Pas kësaj u kërkua largimi i tij nga ky post. Rama e mori dhe e rehabilitoi në dogana, aty ku kishte punuar para se të bëhej ambasador. Sipas disa zërave, në dogana, Gazheli e ka nisur si roje i thjesht, për të ngjitur shkallët dhe për të qenë sot në krye të tyre.
Në janar të këtij viti, Gazhelin, që sipas denoncimeve mediatike njihet ndryshe edhe me nofkën “Çorapja”, që ja kanë vënë shokët e tij në doganë, u akuzua se ka punësuar nënë e bijë në Dogana, të parën si drejtore të burimeve njerëzore ndërsa të dytën të drejtoria e Antitrafikut.
Për të dalë te trafiku, vetëm pak ditë më parë nga Porti i Durrësit firuan disa arka zyrtarisht e në letra me banane, por jozyrtarisht dhe në të vërtetë me kokainë. Kontejneri ku ndodheshin arkat u hap para se të futej në skanim. Policia shoqëroi mbi 20 kontrollorë e drejtues të doganave të Portit të Durrësit.
Nga hetimet deri më tani nuk ka ndonjë të dhënë, por dyshohet se Porti i Durrësit është kthyer në një port të kontrolluar nga narkotrafikantët, që po e përdorin gjithnjë e më shumë si derë hyrëse të kokainës amerikano-latine për në Europë.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.