Shënim: Ilir Meta po numëron ditët në Presidencë, para se të nisë atë që e quan “një agim të ri” më 25 korrik. Por, edhe ditët e fundit në krye të këtij institucioni po i shoqëron me qëndrime e deklarata që kanë shoqëruar presidencën e tij pesëvjeçare.
Këtë herë, në shënjestër të Metës (përmes zëdhënësit të tij) ishin gazetarët dhe mediat. Arsyeja? Një artikull ekskluziv i Voxnews.al i ndërtuar mbi bazën e një raporti të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe burimeve të gazetarëve.
Por, në vend që të sqarojë të gjithë dyshimet e hedhura në raportin e SHISH për spiunin presidencial, që i jepte informacione një agjenti të një vendi jomiqësor, Presidenti përmes zëdhënësit u mor me lajmësin, fundja ashtu siç ka bërë sa herë që mediat kanë denoncuar skandalet që e kanë shoqëruar në karrierën e tij politike.
Me një mal me denoncime e dosje në SPAK, me akuza për korrupsion madhor e ‘gongun’ e shpalljes non grata nga përtej Atlantikut, sulmi ndaj mediave e gazetarëve me terma ‘karagjozë’ është gjëja e fundit që i shërben Presidentit për ta mbyllur ‘aventurën’ 5-vjeçare në Presidencë me sadopak dinjitet.
Këshilltarët (mes tyre edhe ai që dyshohet në raportin e SHISH si spiun i agjencive të huaja) e dinë këtë, e mbase e kanë këshilluar vetë Presidentin që të shmangë reagimet në lidhje me këtë raport të shërbimit inteligjent.
Megjithatë, hedhja e gurit ndaj gazetarëve e medias përmes zëdhënësit s’mund të fshehë dorën e vërtetë që qëndron pas, ndërsa vetë reagimi tregon se muzgu presidencial i Ilir Metës nuk është aq i paqtë sa ai po mundohet ta paraqesë në publik.
Hallet mund të jenë disa, që nga dosjet në SPAK, akuzat për lobim me para korrupsioni në SHBA, shpenzimet e pajustifikuara, qëndrimet karshi reformës në drejtësi dhe deri te ‘akuzat’ më të rëndomta për pazare me ndërtues të një pallati përbri Presidencës.
Me gjithë këto dosje, akuza e skandale në kurriz, Presidenti ndoshta e ndjen që pas 25 korrikut e pret një periudhë e vështirë, ndoshta edhe mbijetese në politikë. Për këto arsye, edhe media vetë duhet të përgatitet që sulmet e tij të ashpërsohen pasi të dalë nga dera e Presidencës dhe të mos ketë më asnjë pengesë institucionale e kushtetuese që të shfrenojë gjuhën ndaj tyre...jo se është kursyer fort gjatë mandatit 5-vjeçar.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.