
Një denoncim i fortë ka mbërritur në redaksinë e VoxNews, në qendër të të cilit janë zyrtarët e lartë të Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë e Tiranës.
Aksioni i nisur prej disa javësh për prishjen e ndërtimeve në hapësira publike duket se po zbatohet pjesërisht nga IMT-ja, e cila shkatërron dhe u vë rruspat ndërtimeve të qytetarëve të thjeshtë dhe lë në këmbë lokalet e vetë zyrtarëve të saj.
Denoncimi bën fjalë për aksionin e së martës, të datës 30 shtator 2025, në zonën pranë rrugës Myslym Shyrit në Tiranë.
Mjete të rënda të IMT-së kanë vijuar aksionin, duke prishur disa ndërtime, të cilat kanë qenë të legalizuara dhe me dokumentacion të rregullt. Por, skandali thellohet se këto prishje janë vërtetë selektive, duke hedhur hije të mëdha dyshimi se gjithçka bëhet “me urdhër nga lart”.
Por nëse qeveria ka filluar aksionin dhe ka paralajmëruar se do të prishë të gjitha ndërtimet që kanë zënë hapësira publike, me apo pa leje, përse lihen në këmbë ndërtimet që kanë këta zyrtarë?
Kush urdhëroi kë?
A mos janë më të “fortë” drejtuesit e IMT-së pranë Bashkisë së Tiranës nga ata të qeverisë?
Në video: Aksioni i IMT-së në zonën pranë rrugës Myslym Shyri dhe zonës pranë ish-Ekspozitës “Shqipëria Sot”:
Mesditën e 30 shtatorit, rruspat e IMT-së kanë vijuar aksionin. Pamjet më sipër janë marrë nga prishjet në zonën pranë rrugës Myslym Shyri në Tiranë dhe ish-ekspozitës “Shqipëria Sot”.
Është i njëjti aksion që kryeministri Edi Rama e reklamon çdo ditë.
Por, krahas këtij lavdërimi, vetë IMT-ja duhet të sqarojë se përse ka lënë në këmbë disa lokale.
“Shikoni këto pamje. Janë ndërtime të legalizuara dhe me dokumentacion të rregullt. Është e jashtëligjshme dhe ne do t’i drejtohemi organeve të tjera” pohojnë për VoxNews disa banorë të zonës, pronarë të ndërtimeve.
Në video: Pamjet e aksionit, ku lokali nga i cili bëhen filmime është në pronësi të një zyrtari të lartë të IMT-së:
Denoncimi vijon se, lokalet që kanë mbetur në këmbë janë të vetë zyrtarëve të IMT-së.
“Këto pamje janë filmuar nga lokali i një zyrtari të IMT-së. Lokali dhe struktura në fjalë qendrojnë në këmbë, nuk prishen megjithëse s’kanë asnjë leje, dhe ndërtimet e njerëzve të thjeshtë, që i kanë bërë me mund e djersë, prishin si pa të keq. Janë prishje selektive” kanë denoncuar pronarët në redaksinë e VoxNews.
Ndërkohë, sipas vëzhgimit që ka bërë redaksia jonë, në shumë lagje prishjet janë bërë selektive. Ka pasur denoncime dhe raportime të shumta se IMT-ja vepron me dy standarde dhe ca “të nënës e ca të njerkës”.
Natyrisht duhet që aksioni të ketë transparencë dhe në përbërje të grupeve të jenë përfaqësues nga disa institucione.
Pasi nëse veprojnë siç edhe po ndodh, prishjet do jenë selektive. Në këmbë do të mbesin vetëm lokalet e zyrtarëve apo të atyre që kanë lidhje të forta në gjyqësor.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.