Nuk mori dot as 5 mijë vota si kandidat për deputet, por Ethem Aga i PD-së ka ambicie për t’u bërë kryebashkiak i Tiranës

27 September 2025, 19:41Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Nuk mori dot as 5 mijë vota si kandidat për deputet, por Ethem Aga i
Ethem Aga

Një kandidat i Partisë Demokratike ka shfaqur ambicien për t’u bërë kryebashkiak i Tiranës, pas shkarkimit fillimisht nga Këshilli Bashkiak dhe më pas nga qeveria i Erion Veliajt. Emri që i fut “frikën” mazhorancës është Ethem Aga, një biznesmen që vjen nga Franca për të kandiduar, njëjtë siç veproi edhe kryeministri Edi Rama 28 vite më parë.

Por me histori tepër të ndryshme, pasi në atë kohë Ramën e thirri Nano për t’u bërë Ministër i Kulturës, ndërkohë që Aga ka kandiduar edhe më parë për t’u bërë deputet. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, Ethem Aga nuk mori më shumë se 5 mijë vota, ndërkohë që deklaroi se është i gatshëm që të kandidojë.

“PD ka disa standarde, ka forumin, Këshillin Kombëtar dhe janë ata që vendosin, kurse në PS është një njeri i vetëm. Unë do jem pjesë e fushatës së PD, por janë forumet e PD dhe partitë e tjera opozitare. Por, unë shpinën luftës nuk ja kthej. Unë them se duhet që të jetë një kandidat gjithëpërfshirës”, tha ai.

Nuk mori dot as 5 mijë vota si kandidat për deputet, por Ethem Aga i
Në foto: Rezultati në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, ku Ethem Aga kandidoi në Tiranë dhe mori 4846 vota

Të paktën Ethem Aga ka kurajon. Ndryshe nga shumë të tjerë, që “fshihen” dhe kanë frikë të kandidojnë. Por numrat janë ata që flasin, aq më tepër që diferenca mes mazhorancës dhe opozitës është tepër e madhe.

Veliaj fitoi me rreth 60 mijë vota më shumë 2 vite më parë, ndërkohë që vetë kandidati që do të sfidojë mazhorancën nuk mori as më shumë se 5 mijë vota. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në zgjedhjet e 11 majit, Ethem Aga kandidoi në listë të hapur për Partinë Demokratike.

Ai u rendit i 23-ti për t’u bërë deputet, duke marrë as më shumë e as më pak, por 4673 vota nga brenda Shqipërisë. Ai përfaqësonte zonën e Farkën, teksa synonte që të ishte edhe “zëri” i diasporës. Jashtë Shqipërisë, sipas KQZ-së, Aga mori 173 vota, teksa rezultati ishte tepër zhgënjyes.

Në total, ai mori 4846 vota dhe tashmë synon që këto vota t’i shumëfishojë për t’u zgjedhur si kryetar i Bashkisë së Tiranës.

Nuk mori dot as 5 mijë vota si kandidat për deputet, por Ethem Aga i
Në foto: Rezultatet e zgjedhjeve vendore në vitin 2023 në Bashkinë e Tiranës, Veliaj mori rreth 60 mijë vota më shumë se Këlliçi

Aga ka shkruar në jetëshkrim se në Francë ka qenë pedagog dhe drejtues në disa ndërmarrje Franko-Japoneze, ndërkohë që për 20 vitesh ka fusha golfi dhe një firmë për automjete. Në Francë ka të punësuar shumë shqiptarë, të cilët nuk u bënë më shumë se 170 vetë për t’a votuar në 2025-ën.

Tashmë ai synon që të kthejë në nga rezultatet më të thella në Tiranë, ku në zgjedhjet vendore të vitit 2023, Erion Veliaj u rizgjodh si kryetar për herë të tretë. Veliaj mori 158.856 vota, ndërkohë që kandidati nga opozita ishte Belind Këlliçi, që mori 100.425 vota. Një diferencë prej 58.431 votash, që tashmë synon që t’i kthejë Aga!

Ndërkohë, në ato zgjedhje rreth 14 mijë vota mori Arlind Qori, 12 mijë vota mori Roland Bejko i Lulzim Bashës dhe 5 mijë vota të tjerët. Nëse do të mbledhim bashkë të gjitha votat e opozitës, sërish diferenca është rreth 30 mijë.

Por, ambicia e Ethem Agës është përtej numrave, pasi me 4846 votat e zgjedhjeve parlamentare ai synon që të thyejë rekordin e Veliajt me rreth 160 mijë. Tani ngelet për t’u parë nëse Berisha, Meta nga burgu, apo forcat e tjera opozitare, do t’i besojnë Agës për ta kandiduar.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.



Video