Afera e inceneratorëve, Monika mbron Ahmetajn, Berisha e fundos

12 July 2022, 14:00Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Afera e inceneratorëve, Monika mbron Ahmetajn, Berisha e fundos
Sali Berisha dhe Monika Kryemadhi

Opozita shqiptare i ka mobilizuar të gjitha forcat te denoncimet për aferën e inceneratorëve. Ajo që i ndan dy partitë kryesore të opozitës janë personat përgjegjës.

Monika Kryemadhi vijon të këmbëngul se personat përgjegjës janë njerëzit që kanë dalë nga partia e saj si Lefter Koka, Alqi Bllako apo dhe Engjëll Agaçi dhe kryetarët e bashkive Tiranë dhe Fier.

Në një emision televiziv të martën, ajo ka përsëritur se përgjegjës është Edi Rama, Engjëll Agaçi dhe Erion Veliaj.

Ajo që vihet re është që Kryemadhi kujdeset në mënyrë të veçantë që të heqë Arben Ahmetajn nga të gjitha përgjegjësitë.

Në emisionin “Open”, gazetarja Klodiana Lala e pyeti Kryemadhin nëse posedon fakte konkrete dhe dokumente që implikojnë kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, zv/kryeministrin Arben Ahmetaj, sekretarin e Kryeministrisë Engjëll Agaçi apo edhe vetë kryeministrin Edi Rama në këtë skemë.

Kryetarja e LSI ‘zbuloi’ se ka prova që kryeministri përfshihet në firmosjen e inceneratorëve të Tiranës dhe të Fierit, ndërsa ka akuzuar sekretarin e Kryeministrisë, Engjëll Agaçi, që me ndërhyrjen e tij direkte ka çuar përpara në shkelje të ligjit skemën e mashtrimit me inceneratorin e Elbasanit.

“Për Arben Ahmetaj nuk ka firmë as në Elbasan dhe as Fier. Nuk e di se cili është implikimi i tij në inceneratorin e Tiranës,” thotë Kryemadhi.

Por nga ana tjetër ish kryeministri Sali Berisha deklaroi në emisionin “Open” se afera e inceneratorëve do e rrëzojë këtë qeveri, ndërsa theksoi se po bën gjithçka për të angazhuar qytetarët.

Berisha theksoi kryeministri Edi Rama nuk e kalon dot aferën e inceneratorëve pa u hetuar zv.kryeministri Arben Ahmetaj.

“Ky skandal do e rrëzojë qeverinë. Ky popull do e rrëzojë këtë qeverinë. Po bëjmë gjithçka për të angazhuar qytetarët. Të ndërgjegjësojmë qytetarët. Ky skandal do e djegë këtë qeverinë. Nuk e kalon dot këtë skandal pasi ka firmosur kontrata me negociata të mbyllura. Agaçi që mbushte baulet me të. Kjo nuk kalohet. Po e çojnë vendin drejt një pasigurie të jashtëzakonshme. Nëse ju lexoni aktakuzën që i bëjnë Lefter Kokës, thonë është bërë prokurim në kundërshtim me ligjet. Por meqenëse prokurimi është bërë me dijeni të Ramës, atëherë ata akuzohen për vepra të tjera. Nëse SPAK e merrte të pandehur Ahmetajn, Ramën, qeveria binte dhe vendi shkonte drejt zgjedhjeve”, tha Berisha.

Siç shihet Berisha dhe Kryemadhi kanë qëndrime të kundërta për përgjegjësinë e Arben Ahmetaj, ndërsa Vox News ka publikuar me dokumente ekskluzive ku vërtetojnë se Ahmetaj në cilësinë ministrit ka firmosur dakordësinë si për inceneratorin e Elbasanit ashtu dhe atë të Fierit.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video