A mund të ndërhyjë qeveria për çmimin e naftës?

8 February 2022, 10:22Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
A mund të ndërhyjë qeveria për çmimin e naftës?
Çmimi rekord i naftës

Shqipëria po përballet me çmime rekord të karburanteve  të cilat kanë arritur në afro 200 lekë për litër. Krahas ecurisë së naftës bruto dhe gazit në bursat ndërkombëtare, një faktor i rëndësishëm që përcakton çmimin fundor në vendin tonë është edhe barra e lartë e taksave, me akcizën në 37 lekë për litër naftë dhe taksën e qarkullimit në 27 lekë, të cilave u shtohen TVSH-ja, taksa e karbonit, tarifa e skanimit, markimi, kontrolli i pompave, rilicensimi, etj.

Në total këto taksa e tarifa zënë pjesën dërrmuese të çmimit, ku përfshihet gjithashtu kostoja e transportit për të importuar karburantin dhe fitimi i kompanive, me këtë të fundit gjithashtu një aspekt të madh që rëndon mbi çmimin.

Eksperti i Ekonomisë Selami Xhepa në një studio televizive shprehet  se kjo rritje do të reflektohet në të gjithë sektorët e ekonomisë.

Xhepa theksoi se Shqipëria është vendi që ka nivelin më të lartë të çmimeve të karburanteve në rajon, dhe peshën kryesore për këto çmime sipas tij e ka kryesisht barra fiskale.

“Nga çmimi që po shkon në 200 lekë, 100 shkojnë në buxhetin e shtetit dhe 100 lekë në kompanitë prodhuese. Fenomeni i barrës fiskale që politikat tona aplikojnë në produktet e energjisë është e pazakontë krahasuar me vendet e tjera.”

Pyetjes se “a mund të ndërhyjë qeveria për çmimin e naftës”?

Eksperti  Xhepa shprehet se nëse politikat e qeverisë për barrën fiskale nuk ndryshojnë, duhet të përgatitemi që të jetojmë në një vend që ka norma të larta çmimesh në përgjithësi, jo vetëm të naftës. Qeveria, sipas tij, ka mundësi të ndërhyjë dhe të lehtësojë barrën fiskale.

“Ka mundësi qeveria të ndërhyjë, është absurde të pretendosh që s’kemi mundësi të influencojmë, të hiqen disa taksa abuzive, gjoja mjedisore…Akciza, një taksë për të mbajtur nën kontroll eksternalitet negativet, ka një mori taksash që rrisin ndjeshëm barrën fiskale. Të paktën ta ulë barrën fiskale e ta bëjë të krahasueshme me vende të tjera.”

Qeverisë shqiptare mund t’i leverdisë ky çmim, sepse sa më i lartë çmimi i naftës, aq më të larta arkëtimet në buxhet në formën e taksave. Por, një pjesë e mirë e këtyre taksave më pas bien sërish në kurriz të qytetarëve shqiptarë./VoxNews


Video