Në periudhat mes zgjedhjeve detyra kryesore e opozitës është denoncimi i keqqeverisjes dhe sidomos i aferave të dyshuara si korruptive me tenderat, në mes të të cilave është shpërdorimi i parave të taksapaguesve shqiptarë.
Por, u bënë ca kohë që opozita në Shqipëri më shumë se denoncuese e dorës së parë është shndërruar në një zëdhënëse të oligarkëve të medias, duke u dhënë zë në mënyrë selektive aferave të dyshuara korruptive që më parë denoncohen mediatikisht nga televizione të caktuara.
Rasti i fundit lidhet me Fondin Shqiptar të Zhvillimit dhe një tender të dyshimtë prej 500 mijë dollarësh për krijimin e menysë së 100 fshatrave turistikë. Në këtë analizë, Voxnews.al nuk synon mbrojtjen e FSHZH-së, përkundrazi ne kemi qenë ndër të parët që e kemi denoncuar këtë tender.
Synojmë të denoncojmë e përcjellim te lexuesi dyshimet logjike që lindin se Partia Demokratike është vënë në shërbim të një medie të caktuar, duke denoncuar në mënyrë selektive aferat korruptive, sidomos me tenderat.
Për tenderin e menysë së 100 fshatrave dhe afera të tjera të dyshuara korruptive në Fondin Shqiptar të Zhvillimit, PD doli pa humbur kohë fill pasi një televizion informativ kombëtar ka paraqitur një seri kronikash e lajmesh, që për nga gjuha e përzgjedhur të krijojnë dyshimet e arsyeshme se më shumë se kronika në shërbim të interesit të qytetarëve janë mekanizma gjobëvënëse me përpjekje për të prodhuar skandal edhe aty ku nuk ka një të tillë.
Kjo të çon në lidhjen logjike se pas këtyre kronikave të dyshuara gjobëvënëse të oligarkëve të medias Lulzim Basha ka rreshtuar edhe Partinë Demokratike, duke e vënë opozitën në shërbim të medieve të caktuar.
Dyshimet përforcohen nga fakti se gjatë fjalimeve denoncuese plot pathos në Kuvend, sa herë ka përmendur emra biznesmenësh si oligarkë, Lulzim Basha është akuzuar nga Edi Rama po nga foltorja e Kuvendit si “gjobëvënës”.
Ku ka zë, s’është pa gjë! Përjashtim s’mund të bëjnë as rastet e fundit të denoncimeve nga PD, që Lulzim Basha duket se e ka vënë si parti në shërbim të një oligarku mediatik, të cilit vetë nuk ja ka përmendur asnjëherë emrin në publik.
E thënë më thjesht, Basha po koordinon me oligarkun mediatik përqendrimin e aksionit opozitar, që më shumë se opozitarizëm e ka shndërruar Partinë Demokratike të Lulzim Bashës në zëdhënëse të medias në fjalë, duke u tërhequr nga vija e parë e denoncimeve.
***
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.