Si i rekrutojnë grupet shqiptare të narkotrafikut punonjësit e doganës belge

31 January 2022, 17:25Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Si i rekrutojnë grupet shqiptare të narkotrafikut punonjësit e

Vrasja e Bledar Muçës, 39-vjeçari i konsideruar si ‘bankomati’ i grupit të Çapjave në Elbasan ka rikthyer diskutimet në qytetin e Antwerp-it dhe në mbarë Belgjikën depërtimin e grupeve të trafikut të kokainës në vend, madje deri në zyrat shtetërore që ligjërisht duhet t’i ndalojnë.

Mediat lokale belge kanë shkruar këto ditë se grupet që fusin në Belgjikë kokainën kanë arritur që të depërtojnë thellë te punonjësit dhe oficerët e doganave dhe autoriteteve ligjzbatuese. Sipas një raporti të vetë zyrës qendrore të doganave në Belgjikë dekadën e fundit janë kapur 90 tonë kokainë në Antwerp. Sasia besohet se është 10 për qind e sasisë totale të drogës që ka zbarkuar në këtë port.

I njëjti raport ndan shqetësimin e shprehur nga Holanda në 2018-n për fuqizimin e grupeve shqiptare të narkotrafikut, aq sa qeveria holandeze dorëzoi në Komisionin Europian një kërkesë për pezullim të lëvizjes së lirë për shtetasit shqiptare me këtë arsyetim.

Në Belgjikë, përgjatë dekadës së fundit janë ndjekur penalisht disa punonjës të doganave nën dyshimet se kanë dekonspiruar operacionet antidrogë të autoriteteve, ndërsa këto të fundit kanë zbardhur edhe skemën se si i rekrutojnë punonjësit e doganës dhe kontrollorët e tjerë grupet kriminale shqiptare.

“Shënjestrojnë pikat e dobëta. Synojnë njerëz që kanë pak të ardhura, kanë vese si bixhozi, apo varësia ndaj alkoolit, apo lëndëve narkotike. Nuk është çudi që këtyre punonjësve t’u afrohen persona të panjohur me një ofertë vështirë të refuzueshme për ta”, thotë Kristian Vanderwaeren, kreu i doganave belge.

Ai rrëfen se për doganat kjo është një betejë e humbur. “Buxheti ynë modest është i papërfillshëm në krahasim me miliardat e trafikut të kokainës, që në një dekadë vetëm me sasinë e kapur të drogës do të siguronte rreth 13 miliardë dollarë”, shton zyrtari belg për “Telegraaf”.

Vanderwaeren thekson se me shtimin e personelit të doganave me mbi 300 vetë për shkak të Brexit, kontrolli i brendshëm i tyre bëhet edhe më i vështirë. “Sa më i lartë numri i punonjësve, aq më të larta mundësitë që krimi i organizuar të gjejë rekrutë mes radhëve tona”, deklaron zyrtari belg.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video