Çmimet e energjisë po trondisin familjet dhe bizneset në mbarë Europën

11 February 2022, 17:07Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Çmimet e energjisë po trondisin familjet dhe bizneset në
Një qytetar turk tregon faturën e energjisë elektrike. Foto Associated Press

Mehmet Bogday thotë se mbeti me gojë hapur kur pa faturën e tij të energjisë elektrike, që ishte më e lartë se sa qiraja që paguan për restorantin e tij në Stamboll ku ofron gatime tradicionale turke dhe më shumë se dyfishi i asaj që pagoi një muaj më parë.

"Kjo është e paimagjinueshme", tha Bogday, i cili zotëron restorantin Asmali Mescit Durumcusu. “Nëse vazhdon kështu, do të duhet të pushojmë stafin. Nëse vazhdon kështu, do të mbyllemi. Ne, ose do të zvogëlojmë stafin, ose do ta mbyllim dhe të shkojmë në shtëpi të gjithë”, vijoi ai.

Çmimet e larta të energjisë po rrisin faturat e shërbimeve nga Polonia në Mbretërinë e Bashkuar, duke i vënë qytetarët në vështirësi për të përballuar jetesën dhe bizneset e vogla të pasigurta se mund të qëndrojnë më gjatë në këmbë. Si përgjigje, qeveritë në të gjithë Europën po nxitojnë të kalojnë ndihmat financiare për të lehtësuar goditjen pasi rritja e çmimeve të energjisë po sjell një rritje rekord të inflacionit.

Askund tjetër rritja nuk është ndjerë më e fortë se në Turqi, ku inflacioni është rritur në gati 50 për qind dhe faturat e tepruara të energjisë elektrike po ngjallin protesta dhe frikë se si bizneset e vogla, si restoranti i Bogday, vështirë se mund të mbijetojnë.

Protestat për rritjen e çmimit të energjisë elektrike shpërthyen në të gjithë Turqinë këtë javë, duke përfshirë disa ku policia hodhi gaz lotsjellës për të shpërndarë turmat. Njerëzit po postojnë faturat e tyre të energjisë elektrike në mediat sociale për të treguar kostot e papërballueshme.

Ashtu si pjesa tjetër e Europës, prodhimi i energjisë elektrike në Turqi kërkon burime që janë rritur në çmim, duke përfshirë gazin natyror, furnizimi i të cilit është i ulët. Një rënie e madhe në vlerën e monedhës turke po nxit rritjen e çmimit të gazit të importuar edhe më tej.

Shërbimet shpërndarëse të energjisë po ua kalojnë kostot shtesë klientëve dhe njerëzit po goditen dy herë: me fatura më të larta në shtëpi dhe çmime në rritje nga bizneset që paguajnë më shumë për energjinë.

Kjo ka çuar në një krizë të kostos së jetesës në disa vende, por veçanërisht në Turqi, ku familjet dhe bizneset tashmë po tërhiqen nga inflacioni i lartë dhe një monedhë që humbi rreth 44 për qind të vlerës së saj vitin e kaluar, duke ngrënë kursimet dhe duke e bërë të vështirë të blesh edhe gjërat elementare si ushqimi. Autoritetet ngritën më pas tarifat e energjisë elektrike më 1 janar, duke rritur çmimet me 50 për qind për shumë njerëz dhe deri në 127 për qind për bizneset dhe familjet me konsum të lartë.

Përballë kritikave në rritje, Presidenti Rexhep Tajip Erdogan bëri ndryshime këtë muaj në mënyrë që rritja e çmimit të fillojë kur familjet të përdorin më shumë energji, por lëvizja ka pasur pak efekt. Me rritjen e çmimeve që kërcënon të dëmtojë Erdoganin përpara zgjedhjeve të vitit të ardhshëm, administrata e tij ka thënë se po punon për një ripërshtatje të mundshme, ose masa të tjera për të ndihmuar njerëzit. Është diçka që të gjitha qeveritë nëpër Europë po e bëjnë, ndërsa rritja e kostove të shërbimeve ka shkaktuar një protesta të gjera.

Në Britani, çmimet e energjisë janë vendosur të rriten me një rekord 54 për qind, rreth 940 dollarë në vit, duke filluar nga prilli. Qeveria thotë se klientët do të kenë një zbritje në faturat e tyre për t'u paguar me këste të vogla gjatë viteve të ardhshme dhe shumica gjithashtu do të marrin para nga një tjetër taksë lokale. Në total, qeveria tha se shumica e njerëzve do të marrin rreth gjysmën e kostos shtesë.

Po kështu, familjet italiane po përgatiten për një rritje rekord prej 55 për qind të energjisë elektrike dhe 42 për qind të gazit në javët e ardhshme, thonë rregullatorët e energjisë. Kjo pasi çmimet e energjisë elektrike u rritën në tetor.

Për të tërhequr vëmendjen për këtë çështje, kryebashkiakët zhytën në errësirë të enjten mbrëma bashkitë historike të Romës dhe Firences. Shoqata e kryebashkiakëve italianë tha se përgjigja e qeverisë deri më tani ka qenë e pamjaftueshme për të ndihmuar qytetet të përballen me qindra miliona kosto shtesë të energjisë, duke i bërë ata të zgjedhin midis balancimit të buxheteve, ose shkurtimit të shërbimeve.

Kryeministri Mario Draghi këtë javë tha se qeveria e Italisë ishte e vendosur të hartonte masa të gjera në ditët në vijim që do të ofrojnë lehtësim për “familjet dhe bizneset që përballen me vështirësi për shkak të rritjes së energjisë elektrike”.

Rregullatorët polakë miratuan çmimet e energjisë duke i rritur me 37 për qind këtë vit. Qeveria e krahut të djathtë ka ulur përkohësisht taksat për energjinë elektrike, gazin, karburantet e motorëve, disa produkte ushqimore dhe plehrat. Kjo pritet të ulë kostot e energjisë për një familje prej katër anëtarësh me rreth 26.5 euro këtë vit. Uljet kompensojnë vetëm një pjesë të rritjes së çmimeve, kështu që qeveria po prezanton një bonus për familjet, që varion nga 4,5 deri në 320 euro në vit, në varësi të të ardhurave.

Burimi Associated Press, përkthyer nga Voxnews.al. 

 


Video